Njihuni me Bobin, amerikanin që la SHBA për të punuar në Durrës

211
Të vish emigrant në Shqipëri. Madje direkt nga Amerika, vendi ku shqiptarët synojnë të shkojnë. Kjo ka ndodhur me Bobin. Pasi siguroi një kontratë pune 3-vjeçare në Shqipëri, Bob la Shtetet e Bashkuara dhe u vendos familjarisht në Durrës, së bashku me gruan dhe dy fëmijët. Edhe pse ka vetëm pak muaj në Shqipëri, ai ka nisur të mësojë e flasë shqip.

“Quhem Bob dhe jam nga Amerika, Wisconsin, pranë Çikagos. Unë jam këtu që t’u mësoj nxënësve matematikë. Jam në Durrës prej 3 muajsh dhe më pëlqen të jetoj këtu”, prezantohet amerikani.

Ndërsa në Shqipëri ëndrra amerikane gjendet në sirtarët e të gjithë shqiptarëve, Bob ëndërronte Europën.

“Zgjodha Shqipërinë pasi është një mundësi e mirë për të zbuluar Europën. Shumë persona nga vendlindja ime nuk jetojnë në Shtetet e Bashkuara dhe ishte një shans i madh për të ardhur këtu me familjen, fëmijët e mi, për të provuar si është të jesh në Europë”, shprehet Bobi.

Ndonëse nuk ka shumë dijeni për tregun shqiptar të punës, ai thotë se pa hezitim do e rekomandonte Durrësin te bashkëkombësit e tij.

“Shqipëria ka mundësi shumë të mira dhe Durrësi është një qytet shumë i bukur dhe një mundësi e mirë për këdo që vjen këtu. E kam të vështirë të flas për tregun e punës këtu, por nëse dikush nga ShBA do e kishte një mundësi pune këtu, do t’i thoja: Mos e humb atë”, thotë amerikani.

Numri i shtetasve të huaj që punojnë në Shqipëri ka ardhur ne rritje nga viti në vit. Pjesë e tregut shqiptar të punës, në Durrës ata janë të punësuar kryesisht në sektorin e peshkimit, kulinarisë, tregtisë, konfeksioneve dhe shërbimeve të ndryshme, ku nevoja për persona të kualifikuar është e lartë.