Njihuni me Entelën, rreshterja që prej 20 viteve rregullon makinat e Forcave të Armatosura

7

Rreshtere Entela Troqe e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë është nga ato vajza që çdo ditë e kalon me makinat e forcës tokësore, në një pozicion që gjithmonë është konsideruar si një punë burrash por që ajo e ka me shumë pasion gjetjen e defekteve të makinave të FA dhe rregullimin e tyre. Entela është bërë pjesë e promovimit të Ministrisë së Mbrojtjes për shkak të detyrës specifike.

Ajo është rreshtere, me detyrë zv.komandante e togës së mirëmbajtjes dhe drejtuese e grupit të shërbimeve në batalionin e forcës tokësore. Është pjesë e FA prej gati 20 vitesh. Dëshira  për të mbajtur këtë uniformë vjen që nga fëmijëria sepse babai i saj ka qenë ushtarak. Detyra e saj konsiston në evidentimin e problematikave te teknikës së transportit. Është një punë që e bën me shumë pasion pavarësisht paragjykimit se në përgjithësi nuk bëhet nga gratë e vajzat.

Në klipin promovues të ministrisë së Mbrojtjes ajo është shprehur se nuk ka bërë kurse teknike që nga koha kur u pajis me lejen e drejtimit. Por kur kanë ardhur disa herë ekipet amerikane në forcën tokësore ku ka qenë pjesë e trajnimeve për teknikat e reja.

I gjithë klipi promovues është bërë në ofiçinën e makinave të Forcave të Armatosura. Dhe aty shquhet Entela me disa kolegë meshkuj që merren me rregullimin e makinave të FA.