Njihuni me gruan që rregullon makinat, 50 vite mekanike e pompave të automjeteve

3

Dëshira e saj në adoleshencë ishte mësuesia, por sistemi i asaj kohe e detyroi atë të bëhej mekanike-pompiste, një profesion që gjerësisht njihet si mashkullor.

Por, pak vite pasi e mësoi si profesion, filloi edhe dashuria për të, saqë sot pas 50 vitesh eksperiencë dhe e dalë në pension vijon ta ushtrojë me të njëjtin pasion.

Kjo është historia e 65-vjeçares Agime Tafa, gruas nga Gramshi, e cila është e veçantë për profesionin që ushtron.

“Kam 50 vite qe e ushtroj këtë profesion. Më është dashur të punoj, jo, nuk e kam dashur ne fillim, jo thosha e pamundur. Isha adoleshente, 14 vjeç vajta ne shkollë, pavarësisht se punoja. Nuk mendoja që do punoja në këtë profesion edhe kur dola në punë dukej si gjëja e pamundur. Me kalimin e kohës u dashurova me profesionin”, u shpreh ajo

Asnjëherë nuk e shqetësoi fakti që bënte një punë që zakonisht e bëjnë meshkujt.

“Kur isha në shkolle nuk e kisha problem fare se atje kishte gra kishte dhe femra që punonin por prapë unë nuk mendoja që do punoja me këtë profesion, mendoja që do mbaroj këtë dhe do vazhdoja ndonjë shkolle, inxhinierinë a diçka tjetër”, thotë gruaja që rregullon makinat.

Mosha duket se është thjesht një numër për Agimen, e cila me buzëqeshje na tregon se nuk do t’a braktisë kurrë profesionin.

“Do vazhdoj ta bëj këtë punë. Më pyesin shoferët, po kur të plakesh ti, ku do i bëjmë ne këto punët?”, shprehet ajo.

euronews.al