Njihuni me Klaidin, violinisti shqiptar me famë botërore që jeton në Zvicër

59
Klaidi Sahatçi, violinisti shqiptar me famë botërore, është koncertmaestri (violinist) i parë i Orkestrës Tonhalle të Zyrihut dhe është gjithashtu profesor i njohur muzike në Zvicrën italiane. Artisti, i cili luan muzikë dhome solo, i apasionuar që në fëmijëri pas muzikës klasike, ka një karrierë të pasur e të suksesshme në skenat ndërkombëtare të Europës dhe Botës. Që nga viti 2001 jeton në Meilen të Kantonit të Zyrihut.
Sahatçiu ka lindur në Tiranë. Që kur ishte 6-vjeç, talenti i tij tërhoqi vëmendjen e disa personaliteteve nga më të shquara të jetës muzikore të Shqipërisë, si Vangjush Papadhimitri e Robert Papavrami.
Në vitin 1988 krijohet ansambli “Rapsodia Shqiptare” dhe Klajdi Sahatçi është një nga të parët studentë që merr pjesë në të. Kjo eksperiencë do të ndikonte më pas shumë pozitivisht në zhvillimin e tij teknik dhe artistik dhe, ndër të tjera, do i jepte mundësinë të luajë në sallat më të rëndësishme shqiptare, por dhe në ato jashtë vendit, si në Greqi, Itali, Austri.
Në prill 1992, ai zgjidhet nga Instituti i Lartë i Arteve ku studion për të përfaqësuar Shqipërinë në Festivalin e Muzikës së Mesdheut në Algjeri, ku luajti me pianisten e mirënjohur Margarita Kristidhi. Në përfundim të këtij festivali ai cilësohet nga ekspertët si instrumentisti i ri më i mirë.
Pas këtij suksesi, ai niset në Itali për të thelluar njohuritë e tij dhe hyn në Konservatorin e Milanos “Giuseppe Verdi”, ku studion tre vjet me profesorin G. Maestri, i cili, ndër të tjera, ka qenë dhe laureat në konkursin e mirënjohur “N. Paganini” në Xhenova. Në 1995, Sahatçi diplomohet në nota maksimale (10 e lode) dhe me “Mension Special të Jurisë”, i cili është titulli më i lartë për studentët e muzikës në Itali. Më pas ai ndjek për dy vite një master perfeksionimi në Kremona me violinistin e famshëm italian Salvatore Accardo.
Sahatçi ka luajtur në duo dhe në formacione në sallat muzikore më prestigjioze në botë, duke përfshirë në Milano, Paris, Zvicër, Vjenë, Lion e Budapest. Njëkohësisht, ai ka luajtur si solist me Orkestrën Nacionale të Lionit, Orkestrën e Zvicrës Italiane në Lugano, Orkestrën e RAI-t, Radio Televizionit Italian, Tonhalle Zurich, Cameristi della Scala, Solistes Europeens de Louxembourg etj.
Eksperiencat profesionale orkestrale:
Në 1997 emërohet “Violin Solo” i Orkestrës Nacionale të Lionit në Francë.
Interpretimet e tij në muzikë dhome në ciklin integral të veprave instrumentale të F. Shubert e F. Mendelson janë transmetuar nga kanali televiziv “Mezzo” dhe “France3” në Francë dhe në mbarë botën.
Në 2001-2004, transferohet në Zvicër, Lugano, ku emërohet violinë e parë e Orkestrës së Zvicrës Italiane.
Në periudhën 2004-2007, është emëruar koncertmaster (violine e parë) i Orkestrës së Dhomës së Zyrihut.
Në 2007-2010, fiton si violinë e parë (spalla) në Teatrin “La Scala” të Milanos, ku interpreton nën drejtimin e dirigjenteve më të famshëm botërorë, si Lorin Maazel, Valerij Gergiev, Riccardo Chailly, Daniel Barenboim etj.