Njihuni me Mariglenin, i riu që la emigrimin dhe ka 13 dynym serra

5

Në këto vite masat mbështetëse për bujqësinë u kanë dhënë shpresë e optimizëm emigrantëve, të cilët kanë nisur të investojnë kursimet për kthimin e tokave të tyre në pika të prodhimit bujqësor gjithëvjetor.

Marigleni pas shumë vitesh në emigracion, u kthye në Shqipëri, në fshatin e tij në Rërëz, Dimal, për të ngritur serrën model të prodhimit të perimeve.

“Unë kam rreth 10 vite që punoj me serrat. Kam jetuar në Greqi, por vendosa që të vij të investoj në vendin tim. Kam rreth 13 dynym serra, të cilat i kam në Rërëz dhe Samaticë. Kultivoj lakër-sallate, kastravec, domate dhe për herë të parë do të provoj të mbjell patate. Unë jam shumë i dhënë pas bujqësisë, vij i shikoj mëngjes, drekë, darkë”, tregon Marigleni.

41 vjeçari thotë se, me të gjitha vështirësitë që ka bujqësia, nuk heq dot dorë prej saj, sepse siç thekson ai, “më ka hyrë në gjak”.

“Nuk ka emocion më të bukur kur shoh bimët e mia tek rriten të shëndetshme e të bukura. Punojmë familjarisht në këto serra, gruaja dhe djali më ndihmojnë. Bujqësia më dhuron çdo emocion, gëzim, lumturi, vështirësi dhe sfida”, shprehet Mariglen Ziu, nga fshati Rërëz, e bashkisë Dimal.