Njihuni me Pëllumbin, mjeshtri korçar që prej më shumë se 45 vitesh krijon art me thupër

67

Thurja me thupër është një nga artet e traditat më të bukura që ka arritur t’i mbijetojë kohës. Orë të tëra pune me dorë, përkthehen në mijëra produkte të veçanta të krijuara prej thuprës.

Pëllumb Hysa është mjeshtri korçar, i cili prej më shumë se 45 vitesh krijon art me thupër.

I buzëqeshur dhe i apasionuar pas punës që bën, mjeshtri tregon fillesat e tij në këtë zanat të trashëguar brez pas brezi.

“Është një zanat që unë e kam trashëguar që nga gjyshi më pas nga babai. Një fëmijë që ti e dallon që në moshë të vogël që është ose për fizkulturë apo muzikë ose diçka tjetër, mua babai më ka mësuar thuprën dhe kjo është një dëshirë shumë e madhe nga babai. Kam filluar që në moshën 6 vjeç. Nuk mund t’i harroj fillimet asnjëherë, pasi babai ka qenë nga të parët që hapi artistiken në Korçë edhe afër tij kur isha 6 vjeç, dhe më futi në një shportë. Aty afër ka qenë një zonjë që punonte dhe i ka thënë babait ‘Izet i duket dora do bëhet zanatçi’, kjo është një nga kujtesa më të mira që kam nga babai që në moshë të vogël”, shprehet mjeshtri.

Mjafton të kesh ëndrra e pasion dhe çdo gjë realizohet, shprehet mjeshtri teksa tregon një nga një të gjitha punët që ka realizuar me dorë.

“Mjafton që të kesh pasion, të kesh ëndrra dhe të nxjerrësh gjëra të bukura, fillon që nga dhomat e gjumit që kam arritur unë, janë shportat që janë mbi 100 modele të ndryshme, ka karrige, komplete me thupër për veranda dhe ato janë me qindra. Një komplet karrigesh, katër karrige dhe një tavolinë do një javë që të punosh. Çanta që ta përfundosh duhen 2 ditë ose ka shporta që më e thjeshta shkon një orë. Pra varet nga madhësia nga dendësia që ka apo edhe modeli”, thotë 56 vjeçari.

Zanatin që e ka pjesë të jetës, 56 vjeçari arrin ta realizojë me sy mbyllur, dhe përpos kënaqësisë dhe pasionit, krijimi me thupra i siguron edhe të mira materiale.

“Unë tani kam arritur deri aty sa të më mbyllësh sytë dhe shumicën e proceseve mund ta bëj edhe me sy mbyllur aq e lehtë është për mua tani në këtë moshë. Një fshat që duket nuk do kallauz. Puna e bukur vlerësohet dhe puna artistike vlerësohet dhe jam shumë i kënaqur”, tha ai.

Përveç të ardhurave, mjeshtri ka arritur të depërtojë deri në konkurset ndërkombëtare të zhvilluara në Francë, Gjermani e Itali, duke realizuar madje edhe çanta të Dolçe Gabanas.
“Pa lëvdata se nuk kam llafollogji shumë të madhe por kam vepra më tepër. Unë kam arritur të konkurroj deri në Francë, Gjermani me mjeshtra të mëdhenj, në Itali kam arritur, prapë me mjeshtra të mëdhenj, dhe kemi bërë disa çanta të ‘Dolce Gabanna’, si kjo që shikoni që nuk e kemi përfunduar”, pohoi mjeshtri.