Njihuni me Pixel Fold, telefonin e parë me ekran me palosje të Google dhe rivalin më të fortë të Galaxy Z Fold 4

8

Google përqendroi vëmendjen në I/O javën e kaluar kur konfirmoi ekzistencën e Pixel Fold, telefonit të parë me ekran me palosje të kompanisë.

Tashmë kemi detajet e plota të tij. Do të kushtojë 1799 dollarë, fuqizohet nga çipi i vitit të kaluar Tensor G2 dhe mund të porositet nga dita e sotme. Kompania nuk specifikoi datën e saktë të dërgesave por tha se do të mbërrijë tek blerësit e parë duke filluar nga muaji i ardhshëm.

Edhe pse Pixel Fold është më i kushtueshëm sesa raportimet e mëhershme, hardueri është ai që kemi pritur të gjithë. Ka një ekran të jashtëm 5.8-inç dhe ekran të brendshëm prej 7.6-inç kur është i hapur.

Të dy janë panele 120Hz OLED me mbështetje për HDR por paneli i jashtëm ka ndriçim më të fortë prej 1200 nits HDR krahasuar me 1000 nits HDR në panelin e brendshëm.

Nga testimet e para u vu re se telefoni i Google ka një rrudhje më pak të dukshme të ekranit në hapësirën e mekanizmit të palosjes krahasuar me Galaxy Z Fold 4.

Pixel Fold ka thuajse çdo veçori produktiviteti që jemi mësuar tashmë ti shohim tek telefonët e kësaj kategori siç është shikimi i videove YouTube në pjesën e sipërme të ekranit dhe butonët e luajtjes në pjesën e poshtme.

Gjithashtu teksti i përkthyer i Google Translate shfaqet në ekranin e jashtëm ndërsa shkruani tekstin origjinal në ekranin e brendshëm.

LEXO EDHE:  Pas 6 vitesh Google ridizajnon ikonën e Google Play

Asgjë prej këtyre nuk përbën risi për industrinë por është një hap i madh për Google, një kompani e cila historikisht është treguar konservatore në industrinë mobile.

Me çipin G2 dhe 12GB RAM, Pixel Fold është po aq i fuqishëm sa Pixel 7 Pro. Por pyetja është a ja vlen të shpenzoni 1799 dollarë për një telefon me harduerin e vitit të kaluar?

Kamerat e Pixel Fold janë një hap pas me Pixel 7 Pro por ende janë më të mira sesa Z Fold 4. Ka një kamër të re të jashtme 9.5-megapiksel dhe një kamër të brendshme 8-megapiksel. Ndërsa konfigurimi i pasmë përbëhet nga një sensor 48-megapiksel parësor, 10.8-megapiksel me kënd të gjerë dhe 10.8-megapiksel telefoto me zmadhim optik 5x.

Kujtojmë që Pixel 7 Pro kishte kamër parësor 50-megapiksel, ultra-wide 12-megapiksel dhe telefoto 48-megapiksel.

Një tipar dallues i Pixel Fold janë përmasat e holla të telefonit. Është vetëm 6mm i trashë i hapur dhe 12.1mm i trashë i hapur.

Gjithësesi mbetet për tu parë sesi Pixel Fold krahasohet me Galaxy Fold 4 kur të shkojë në duart e konsumatorëve. Edhe pse Samsung pati një fillim të vështirë, avantazhi i kompanisë është se ka mësuar nga gabimet e saj. Për Google është një kategori plotësisht e re dhe nuk do të çuditemi nëse shohim kompaninë të përfundojë në telashe me Pixel Fold.

/pcworld.al