Nuk ndalet Kosova! Fiton edhe tri medalje në Olimpiadë, kësaj radhe në matematikë

19

Tre studentë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” janë stolisur me medalje në Olimpiadën Matematikë Ndërkombëtare për Studentë Universitar.

Pas suksesit të xhudistëve nga Kosova në Lojërat Olimpike në Tokio, medalje kane fituar edhe Arben Ajredini, Duart Nishefci e Andi Sejdiu, të tre studentë të vitit të tretë në UP, të cilët kanë fituar një Medalje të Artë, një Medalje të Argjendtë dhe një Medalje të Bronztë në Olimpiadën Matematikë.

Studenti i Departamentit të Matematikës në Universitetin e Prishtinës, Arben Ajredini ka fituar Çmim të Parë (Medalje të Artë).

Studenti i Departamentit të Matematikës në Universitetin e Prishtinës, Duart Nishefci ka fituar Çmim të Dytë (Medalje të Argjendit).

Ndërsa, studenti tjetër i Departamentit të Matematikës, Andi Sejdiu ka fituar Çmim të Tretë (Medalje të Bronztë).

Sipas informacioneve të publikuara nga Shoqatat e Matematikanëve të Kosovës, IMC është ndër garat më të rëndësishme botërore të matematikës për studentë universitarë, në të cilën marrin pjesë studentë nga universitete prestigjioze nga të gjitha anët e botës.

“Shoqata e Matematikanëve të Kosovës e uron dhe e përgëzon Ekipin e Kosovës për suksesin e arritur dhe për përfaqësim të denjë të shtetit të Kosovës dhe Universitetit të Prishtinës në këtë olimpiadë prestigjioze! Shoqata e Matematikanëve të Kosovës falënderon udhëheqësit e ekipit të Kosovës: Armend Shabanin dhe Valmir Krasniqin për kontributin profesional të dhënë për ekipin e Kosovës në IMC 2021”, thuhet në njoftimin e tyre.