Nxitja e leximit, 200 libra për vogëlushët e Tepelenës

130

Tepelena dhe Gjirokastra ishin ndalesa e fundjavës e Lëvizjes Kombëtare për Lexim e cila po udhëton në çdo cep të Shqipërisë për të afruar të rinjtë me librin.

Lëvizja Kombëtare për Lexim do të përfshijë në mënyrë kapilare 12 qarqet e vendit, me 12 qytete pilot për të dëshmuar se dëshira për lexim është tek secili fëmijë, nëse dimë ta ushqejmë.

Për të nxitur hallkat përgjegjëse dhe dëshirën e fëmijëve për të lexuar, Ministria e Kulturës dhuroi 200 libra për fëmijë të moshës 0-14 vjeç, në bibliotekën e qytetit të Tepelenës dhe në shkollën 9 vjeçare “7 Marsi”.

Përmes Konkursit kombëtar për “Përshtypjen më të mirë mbi librin që ke lexuar”, organizuar në bashkëpunim me Bukinist, si partner mbështetës i kësaj nisme, Lëvizja Kombëtare synon të arrijë përfshirjen e lexuesve të vegjël e të rinj, të cilët do të shpërblehen nga Bukinist me çeqe librash dhuratë. Kolanat e librave për fëmijë janë dhuruar të ndara mes shkollave dhe bibliotekës së qytetit, për të ndërtuar ura të sigurta, që nxënësit të anëtarësohen në biblioteka.