OKB konferencë për Shqipërinë: Rast unikal! Të marrim mësime nga shqiptarët që shpëtuan hebrenjtë

99

Në një konferencë të organizuar në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, drejtues të kësaj organizate thanë se ndihma e Shqipërisë për popullin hebre gjatë holokaustit mbetet një shembull i fuqishëm i guximit dhe integritetit përballë egërsisë naziste.

Konferenca titullohej: “Një çështje e njerëzimit: Shpëtimi i Hebrejve në Shqipëri gjatë holokaustit”. Ajo organizohej nga Departamenti i Komunikimit Global të OKB-së, në bashkëpunim me misionin e Shqipërisë në Kombet e Bashkuara dhe Kongresin Hebraik Botëror.

Zëvendëssekretarja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, Alison Smale, tha se shpëtimi i hebrenjve nga Shqipëria gjatë holokaustit mishëron parimet e deklaratës universale të të drejtave të njeriut, se çdo njeri ka të drejtën e jetës, lirisë dhe sigurisë së personit. Ajo tha se ky shembull është sidomos i rëndësishëm në botën e sotme kur njerëzit kudo në botë janë dëshmitarë të rritjes së populizmit, ksenofobisë, neonazizmit dhe grupeve të urrejtjes.

Jonathan Cohen, përfaqësues në detyrë i Shteteve të Bashkuara në OKB, tha se “ne njohim dhe admirojmë traditën shqiptare të tolerancës fetare dhe të fisnikërisë njerëzore, e cila bëri që hebrejtë të gjenin në Shqipëri një strehë të sigurtë për t’u mbrojtur nga nazistët.”