Olgert Kafazi, mjeshtri i portave me kangjella ruan traditën shumëvjeçare korçare

21

Korça njihet si qyteti që me fanatizëm ka ditur të ruajë dhe trashëgojë traditat. Rrugicat e famshme të qytetit juglindor shtruara me kalldrëm ,gurët e gdhendur dhe shtëpitë e rrethuara me kangjella prej hekuri janë karakteristikat arkitekturore te qytetit juglindor. Teksa ecën nëpër këto rrugica ,këtu gjithçka flet vetë e qartazi kupton se guri dhe hekuri janë elemente që nuk mungojnë në shtëpitë karakteristike korçare.

Stili i veçantë arkitekturor i këtij qyteti dhe kangjellat prej hekuri kanë frymëzuar Olgert Kafazin t’i japë jetë ëndrrës së tij, 20 vite më parë, kur filloi të hidhte në letër dizenjimet e para.

“Ky është thjesht pasion, ëndërr dhe një gjë që është krijuar nga shpirti i punës. Arsyeja pse kam ngritur këtë lloj pune është se unë shkoja të dizenjoja dhe gjeta mënyrën se si ta krijoj. Është qyteti që na jep mundësin, gurin drurin e hekurin. Janë të parët tanë që kanë krijuar këtë qytet të bukur” – thotë Kafazi.

Talentin për të punuar hekurin, për herë të parë e zbuloi tek një mangall.

“Fillimisht hapat e parë i kam nisur në mangall ku ngrohemi. Atje fillova të ngrohja hekurin dhe nga ky moment fillova ta punoja në të ngrohtë. Kur hekuri është i ngrohtë atëherë mund ta punosh nëse ke shpirt artisti dhe ta krijosh në formë artistike, të ketë proporcionet e duhura. Nga momenti që ke një dëshirë apo pasion mund ta hedhësh në treg. Duhet të jesh këmbëngulës që të vijosh më tej” – thotë Kafazi.

Të gjitha punimet realizohen në mënyrë aritzanale, ndërsa Olgert Kazazi tregon se është përballur me vështirësi, por pasioni e ka shtyrë të ecë përpara.