Apple-I ishte plot risi këtë radhë. Pas iPhone 11, gjigandi I teknologjisë prezantoi edhe versionin e fundit të smartwatch-it tepër popullor të tij Apple Watch Series 5, me një ekran gjithmonë të ndezur.
Modeli ngjan me Apple Watch Series 4 të lançuar vitin që shkoi, por me një ekran të përmirësuar. Për të arritur performancën e të qëndruarit gjithmonë I ndezur është përdorur teknologjia LTPO, që lejon rifreskimin e ekranit në mënyrë dinamike, ndërsa ka dhe një kontrollues të ri të tij si dhe sensor drite të ambientit.
Apple sqaroi se Seria 5 ofron një jetëgjatësi baterie prej 18 orësh, kohë përgjatë së cilës ekrani nuk mbyllet. Ora vjen përsëri me madhësi 44mm dhe 42 mm, me mundësinë për versione të lidhura me 4G dhe monitoruesin me EKG të ritmit të zemrës. Ekzistojnë një seri variantesh e ngjyrash, shiritash dhe opsionesh të reja, duke përfshirë ato me titan dhe qeramikë. Ka ndërkohë dhe një aplikacion të ri, me tre studime të kërkimit shëndetësor – dëgjimin, shëndetin e grave dhe zemrën e lëvizjen.