“Oulook Traveller”: Vizitoni Shqipërinë, perlën e fshehur të Evropës

3

Me një histori të pasur dhe njërëz të ngrohtë e mikpritës, Shqipëria ofron një përvojë udhëtimi të përballueshme për ata që kërkojnë të eksplorojnë kulturat dhe bukuritë natyrore.

E vendosur në Gadishullin Ballkanik, Shqipëria është një vend me peizazhe mahnitëse, histori të pasur dhe një kombinim unik kulturash.

Pavarësisht hijeshisë së saj të pamohueshme, kjo perlë evropiane ka mbetur relativisht jashtë radarit turistik, duke e bërë atë një destinacion ideal për udhëtarët që kërkojnë bukuri të paeksploruar dhe përvoja autentike.

Përpara se të paketoni valixhet dhe të niseni për në Shqipëri, këtu janë disa këshilla thelbësore për t’u siguruar që udhëtimi juaj të jetë i paharrueshëm, shkruan në një artikull e përditshmja angleze “Oulook Traveller”.

Vizitoni Bunkerët

Një fakt i rëndësishëm që duhet ditur përpara se të vizitoni Shqipërinë është mbizotërimi i bunkerëve të shumtë në të gjithë vendin.

Është raportuar se midis viteve 1960 dhe 1980, diktatori shqiptar, Enver Hoxha ndërtoi mbi 750 000 bunkerë për të fortifikuar kombin, duke parashikuar pushtimet e mundshme nga Bashkimi Sovjetik, Jugosllavia, Greqia dhe NATO.

Në ditët e sotme, këta bunkerë, kryesisht të braktisur, janë shndërruar në një atraksion të njohur turistik në të gjithë vendin.

Mësohet se dy nga bunkerët më të mëdhenj në Tiranë janë shndërruar në muze dhe eksplorohen nga vizitorët.

Një vend i sigurt

Shqipëria konsiderohet si një nga destinacionet më të sigurta në Evropë.

Sipas informacioneve nga Ministria e Jashtme e Britanisë së Madhe, siguria publike është përgjithësisht e favorshme.

Udhëtimi për në Shqipëri mund të bëhet pa shqetësime të rëndësishme sigurie.

Gjuha nuk është një shqetësim

Gjuha kryesore që flitet në Shqipëri është shqipja, e cila është unike dhe e ndryshme nga të tjerat.

Përtej frazave bazë, përpjekja për të komunikuar në shqip mund të jetë sfiduese.

Megjithatë, ky nuk është një shqetësim i rëndësishëm pasi shumica e popullsisë e zotëron shumë mirë gjuhën angleze.

Një vend i përballueshëm

Shqipëria konsiderohet një destinacion i përballueshëm, veçanërisht për sa i përket akomodimit dhe ngrënies.

Një vakt në një restorant mesatar kushton afërsisht 6 euro për person, dhe një natë në një dhomë me banjë private kushton mesatarisht rreth 15 euro për person.

Sigurisht, çmimet mund të ndryshojnë, sipas mundësive të ndryshme buxhetore.

Bëjini plazhet një prioritet

Shumica e turistëve që vizitojnë Shqipërinë tërhiqen nga plazhet e saj të bukura.

Riviera shqiptare krenohet me disa nga zonat më mahnitëse bregdetare të Evropës.

Përgjatë brigjeve të saj, do të gjeni një përzierje plazhesh me guralecë dhe rërë që kufizohen me ujëra të pastër e të kristaltë që rivalizojnë bukurinë e plazheve në Itali, Greqi ose Kroaci.

Ndër plazhet më të mira në Rivierë janë Drimadhes, i njohur për muzikën e tij live dhe baret e plazhit.

Plazhi i Ksamilit ofron gjithashtu ujëra të kthjellët blu brenda Parkut Kombëtar të Butrintit.

Një Parajsë e Ushqimit

Në Shqipëri, gatimet më të mira janë jo vetëm të shijshme, por edhe buxhetore.

Vizitorët këshillohen të provojnë sa më shumë pjata gjatë qëndrimit të tyre.

Disa opsione që duhet të provoni përfshijnë fëgesë, tavë kosi (një pjatë me mish qengji të pjekur me kos dhe vezë), byrek etj.

/ata.gov.al