Pajisje për fëmijët e verbër, një robot në formën e byzylykut do t’i ndihmojë të orientohen

171

Të lozësh, vraposh, të ndërveprosh me të tjerët. Këto janë veprime të gëzueshme dhe natyrore për fëmijët, por mund të jenë shumë komplekse dhe të lodhshme për ata që nuk shikojnë. Dhe për ti ndihmuar në orientim, robotika po kombinohet me shkencat e mendjes në prodhimin e aparateve që ti vijnë në ndihmë kësaj kategorie njerëzish. Është krijuar kështu një instrument teknologjik në formën e byzylyk sonor që i ndihmon fëmijët e verbër të orientohen më lehtësisht teksa janë në lëvizje. Quhet Abbi, dhe është krijuar nga Instituti teknologjik Italian me kërkesë dhe fonde të Komisionit Evropian.

Sipas ekspertes Monica Gori, ky byzylyk do të ndihmojë në perceptimin e trupit në ambientin rrethues. Sipas saj, kur një fëmijë pa problem shikimi lëviz krahun, e shoqëron këtë gjest edhe me shikimin e tij dhe llogarit distancat e nevojshme për të arritur objektet apo personat.

Ky veprim i thjeshtë nuk është po aq i thjeshtë për ata që nuk shohin, dhe nga kjo lindi ideja e byzylykut Abbi që në mungesë të shikimit ofron një përgjigje sensoriale, në këtë rast sonore, që korrespondon me lëvizjen.

Qëllimi është se nëse edhe prindërit kanë këtë byzylyk, teksa i afrohen fëmijës, ky i fundit e ka më të lehtë të llogarisë distancat dhe pozicionet e tyre dhe ndërveprimet janë më të lehta. Faza e provave disa mujore me fëmijët ka rezultuar shumë premtuese, pasi janë vërejtur rezultate pozitive tek ta. Në fakt është vënë re se fëmijët pas tre muajsh që mbanin byzylykun Abbi, kishin më tepër pavarësi lëvizjeje dhe ndërveprimi, ndjeheshin më të sigurt por edhe më entuziastë.