Paketa 43.1 miliardë lekë/ Rriten pagat dhe pensionet. Ja sa lekë shtesë do marrin policët, pensionistët, administrata. Rritet edhe paga minimale

113

Paketa e dytë e Rezistencës sociale do të shkojë si mbështetje në çdo familje shqiptare, ndërsa ka në fokus edhe sektorin prodhues, transportin dhe mbajtjen e pandryshuar të çmimit të energjisë për familjarët dhe biznesin e vogël.

Totali i mbështetjes së dhënë përmes kësaj pakete për përballimin e krizës gjatë këtij viti llogaritet të ketë një efekt financiar prej 43.1 miliardë lekësh. Konkretisht duke nisur nga muaji shtator pensionistët do të kenë indeksim me 6%. Kostoja në buxhet për këtë periudhë të vitit llogaritet 2 miliardë lekë. Përfitues janë 674 mijë pensionistë.

Në total rritja e pensioneve për këtë vit shkon në 9.5%, dhe duke qenë një masë në afat të gjatë kostoja në buxhet për vitin 2023 llogaritet 8.4 miliardë lekë.

Nga muaji shtator do të rriten pagat në sektorin publik me 7% për 41 mijë punonjës. Efekti në buxhet llogaritet 713 milionë lekë në periudhën shtator-dhjetor 2022 dhe 2.9 miliardë lekë në vitin 2023.

Përmes paketës së Rezistencës sociale rriten pagat e punonjësve të Policisë së Shtetit me 5,560 lekë në muaj. Përfitojnë 10,800 punonjës. Pagat e punonjësve të Policisë së Burgjeve rriten me 10,548 lekë në muaj për 3,600 punonjës.

Pagat e administratës rriten me 5,000 lekë në muaj. Përfitojnë 20 mijë punonjës.
Paga minimale rritet me 7 % duke shkuar në 34,000 lekë. Nga fillimi i vitit paga minimale ka shënuar rritje me 13%, dhe rritja neto nga fillimi vitit për 200 mijë punonjës llogaritet 3,500 lekë.

Qeveria vendosi përmes kësaj Pakete të dyfishojmë rritjen e masës së përfitimit për: gratë kryefamiljare me dy fëmijë; personat mbi 65 vjeç të vetmuar, pa pension pleqërie apo pension social.

Efekti financiar i kësaj mase për periudhën shtator-dhjetor të këtij viti llogaritet 236 milionë lekë. Për vitin 2023 kostoja në buxhet shkon në 944 milionë lekë dhe përfitues janë 64 mijë familje.

Paketa e Rezistencës sociale prek edhe personat me aftësi të kufizuar. Për këtë kategori do të ketë indeksim të pagesës me 7.5 %. Efekti financiar për periudhën shtator-dhjetor llogaritet 188 milionë lekë. Për vitin 2023 kjo kosto shkon në 752 milionë lekë dhe përfitues janë 90 mijë qytetarë.

Paketa u ofron mbështetje shtesë për energjinë elektrike për para/tetraplegjikët dhe të verbrit. Efekti financiar i kësaj mase për periudhën shtator-dhjetor 2022 është 31 milionë lekë. Për vitin 2023 llogaritet 123 milionë lekë dhe përfitues janë 11,411 persona.

Fermerët do të vijojnë të mbështeten edhe në këtë Paketë të dytë Rezistence. Fondi shtesë i akorduar është 500 milionë lekë për naftën, duke e çuar në 2 miliardë lekë në total mbështetjen për vitin 2022 për 34 mijë përfitues. Po ashtu, qeveria ka akorduar një fond prej 500 milionë lekë mbështetje për fermerët për mbjelljen e grurit.

Mbështetja për sektorin e peshkimit rritet me 200 milionë lekë për rimbursimin e TVSH-së së naftës për 200 përfitues.