Panairi me produkte lokale në Fushë-Arrëz, zbulon thesaret e Malit të Munellës

22

Ditën e djeshme, në qytezën e bukur të Fushë-Arrëzit, u organizua panairi me produkte lokale kushtuar Malit të Munellës, strehës kryesore të rrëqebullit të Ballkanit (Lynx lynx balcanicus) në Shqipëri. Ky event u organizua nga Qendra Sociale në Ndihmë të Njerëzve në Nevojë, në bashkëpunim me Bashkinë Fushë-Arrëz, të cilat u mbështetën nga PPNEA në kuadër të Programit për Rimëkëmbjen e Rrëqebullit të Ballkanit.

Banorët lokal, me kënaqësi i ngritën stendat e tyre ku ekspozuan produkte ushqimore dhe kulturore të lidhura me Malin e Munellës, si lëngjet e prodhuara nga frutat e pyllit, bimë medicinale, përpunimi artistik i drurit dhe baltës, etj. Dashamirësia ndaj natyrës u tregua qartazi në fytyrën e banorëve, të cilët e pohuan disa herë se Munella e meriton të shpallet si Zonë e Mbrojtur.

Nëpërmjet këtij aktiviteti, synohet ri-sjellja në vëmendjen e autoriteteve çështjen e Munellës, duke shpresuar për finalizimin e shpejtë të shpalljes së këtij mali si Zonë e Mbrojtur./PPNEA