Panariti: Mbështetje financiare për prodhuesit e vajit të ullirit

0

Anëtari i kryesisë së Partisë së Lirisë, Edmond Panariti kërkoi sot që të mbështeten fermerët financiarisht në ruajtjen dhe magazinimin e shpejtë dhe cilësor të vajit të ullirit, të depozituar në kontenierë cilësorë të standardeve evropiane të cilat shteti duhet t’ua vërë në dispozicion prodhuesve.

Panariti propozoi që ruajtja dhe magazinimi i vajit të prodhuar të subvencionohet me pagesë fikse deri në 18 muaj, derisa tregu të stabilizohet nga mbioferta dhe produkti të tregtohet dhe evadohet kur pas disa muajsh të ketë uri tregu.

Po ashtu, ai kërkoi të rivendoset subvencioni deri në 100 lekë për litër në dorëzim, për prodhuesit e mëdhenj dhe subvencioni për çdo pemë ulliri prodhuese për fermerin e vogël.

“Rreth 12 milionë rrënjë ullinj janë një pasuri e jashtëzakonshme e vendit. Ky stok, jo vetëm duhet ruajtur por shtuar edhe më shumë, sepse ky kontingjent është kartëvizita më e mirë e bujqësisë tonë ndaj fondeve bujare të BE kur do të na duhet të regjistrojmë dhe raportojmë numrin e ullinjve sasitë e prodhuara dhe mbi bazën e kësaj fermerët tanë të përfitojnë pagesa direkte për hektarë të mbjellë , numër rrënjësh dhe sasi prodhimi. Nuk duhet lejuar shpërdorimi i këtij prodhimi të mbarë dhe të bollshëm i vajit tonë të ullirit”, tha ai.

ata.gov.al