Parku i Lurës lehtësisht i aksesueshëm, asfaltohet rruga që iu shërben 20 fshatrave

215

Për banorët e 20 fshatrave të njësisë administrative Arras dhe Fushë-Cidhen është përgjysmuar distanca drejt Peshkopisë.

Rruga Kastriot – Arras u rikonstruktua falë një investimi të qeverisë shqiptare nëpërmjet Fondit Shqiptar të Zhvillimit në kuadër të programit “Rehabilitimi i segmenteve rrugore prioritare”, që ka filluar në vitin 2016.

Rruga është 6 km e gjatë dhe lidhë Njësitë Administrative Arras dhe Fushë Çidhen, me rrugën dytësore Peshkopi – Kukës dhe qytetin e Peshkopisë, duke e shkurtuar distancën aktuale me rreth 12 km. Në këtë aks kryhet edhe qarkullimi i mjeteve për në Parkun Kombëtar të Lurës.

Punimet konsistuan në zgjerimin e trasesë ekzistuese, ndërtimin e veprave të artit, ndërtimin e një ure me hapësire drite 10 ml, ndërtimin e kanaleve anësore të rrugës, nënshtresat dhe shtresat asfaltike.

Rruga është e pajisur me sinjalistikë vertikale dhe horizontale. Ky segment rrugor, kombinuar me investime të tjera në infrastrukturë, sjell transformime të rëndësishme në ekonominë rajonale dhe përfitime të prekshme për banorët e zonës.