Parku Kombëtar i Shebenikut, destinacion i turizmit malor dhe aventurës

27

Parku Kombëtar i Shebenikut, në bashkinë e Librazhdit, është kthyer tashmë në një nga destinacionet kryesore turistike për vizitorët e natyrës dhe të aventurës.

Turistët mund të zgjedhin për të vizituar destinacione të tilla si Rruga Egnatia, një nga 12 rrugët më të famshme të kohës antike. Përgjatë luginës së Shkumbinit ku ka gjurmë të freskëta të saj në segmente me gjatësi jo të vogla.

Përveç Rrugës Egnatia dhe Parkut Kombëtar të Shebenikut janë destinacione po kaq të famshme edhe Kisha Eremite e Kosharishtit, Shpella e Akullit në Letëm, liqenet akullnajore të Shebenikut, Ura e Kamares në Mirakë, Ura e Gurit në Polis, Shpella e Plakës në Gizavesh, Qyteza, Guri i Bletës e Guri i Sukllit në Xhyrë e plot të tjera monumente kulture, monumente historike e monumente natyre.

Rreth 100 km larg nga Tirana, Parku Kombëtar i Shebenikut në zonën e Librazhdit, po tërheq vëmendjen e turistëve, si një mundësi shumë e mirë për eksploruesit e natyrës dhe sportet ekstreme si rally, alpinizëm e ski.

Librazhdi vlerësohet gjithashtu edhe për shumëllojshmërinë e bimësisë, luleve e pyjeve  dhe cilësohet nga të huajt si një miniparajsë e gjelbërimit dhe burimeve ujore.

/ata.gov.al