Pastrohet lumi i Lanës për t’i paraprirë shirave të vjeshtës

979

Stina e vjeshtës sjell dhe sezonin e shirave dhe për këtë bashkia e Tiranës i ka paraprirë me pastrimin e Lanës nga mbetjet, për të parandaluar daljen nga shtrati të lumit. 
Prej dy javësh ndërmarrja e punëtorëve të qytetit ka punuar intensivisht për të pastruar shtratin e Lanës, nga mbetjet e hedhura në mënyrë të papërgjegjshme nga qytetarët, të cilat rrisnin mundësinë e daljes së tij dhe të përmbytjes së zonave përreth. 
Makineritë e rënda si dhe punonjësit  kanë bërë të mundur rehabilitimin e të gjithë shtratit të lumit nga zona Vasil Shanto deri tek Pallati me Shigjeta duke hequr tonelata plastikë dhe inerte. Për shkak edhe të terrenit i cili favorizon akumulimin e mbetjeve, kjo zonë njihet si tejet problematike sa herë që bien reshje të dendura shiu, ku lumi i Lanës del mbi shtratin e tij duke sjellë vështirësi dhe në qarkullimin e automjeteve. 

Burimi: Top Channel