Pasuri botërore/ Berati, 13 vjet pjesë e trashëgimisë së UNESCO-s

29

Më datën 8 korrik të vitit 2008, 13 vite më parë, qyteti i lashtë dhe i bukur i Beratit u fut në listën e thesareve të rralla botërore të UNESCO.

Qyteti i një mbi një dritareve mendohet që të jetë themeluar që në epokën e broncit, por që formën e tij të mirëfilltë e mori si qytet-kështjellë i quajtur Antipatrea vetëm më 213-310 para lindjes së Krishtit. Pikërisht ky ka qenë edhe emri i tij i parë zyrtar me të cilin njihet edhe nëpërmjet dokumenteve.

Ai gjithashtu për nga rëndësia e tij që kishte, gjatë pushtimit romak në shekullin e II para Krishtit, u emërtua edhe si “Fortesa e Arbërve”.

Në vitin 1961, Berati u shpall zyrtarisht qytet-muze, me pasuri të konsiderueshme monumentesh dhe me vlera të larmishme, të cilat përbëjnë një dëshmi të trashëgimisë kulturore, historike e artistike, të jetës e të punës, të realizuara mjeshtërisht brez pas brezi nga banorët e tij. Nga zonifikimi dhe nga përcaktimi i kategorisë së monumenteve qyteti ndahet në tri zona : zona muze, zona e mbrojtur dhe zona e lirë.

Sot Berati trashëgon 210 objekte muzeale, nga të cilat 150 janë objekte në këmbë. Prej tyre 60 janë monumente të kategorisë së parë dhe të tjerat të kategorisë së dytë.

Kështjella ose kalaja, siç quhet nga beratasit është ndërtuar mbi kodrën shkëmbore në formë trekëndëshi. Ura e Goricës është një nga monumentet e kulturës dhe të arkitekturës së Beratit dhe njëkohësisht një nga simbolet e tij. Ajo është ndërtuar në vitin 1780 për t’u rindërtuar më vonë në formën që ka sot. Aty ndodhen shumë kisha të periudhës bizantine si dhe vend për artin dhe zejet e këtij qyteti.

Arkitektura e rrallë e këtij qyteti afro 2500-vjeçar, trashëgimia që mbart e bëjnë këtë qytet vërtetë të rrallë.