Peizazh magjik nga grykëderdhja e Vjosës në Levan

6

Lumi i Vjosës, si lumi i fundit i egër në Europë, u shpall më 13 mars të këtij viti nga qeveria shqiptare “Park Kombëtar”, kategoria e dytë e mbrojtjes, që është shumë më e lartë nga ajo që kishte deri një vit më parë, thjesht “park natyror”.

Në 13 qershor 2022 u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit dhe organizatës amerikane “Patagonia” për nisjen e punës së përbashkët për ta shpallur Vjosën “Park Kombëtar”.

Për shkak se, lumi Vjosa dhe lugina e tij është një park shumë kompleks, është marrë ekspertizë ndërkombëtare përveç asaj të brendshme, që të gjitha procedurat e shpalljes të Vjosës Park Kombëtar, të jenë me standardet më të larta ndërkombëtare.

Lumi Vjosa, në jug të Shqipërisë, është një nga lumenjtë më të njohur në Shqipëri, për sa i përket trashëgimisë natyrore dhe vlerave të biodiversitetit që mban. Formacionet e ndryshme gjeologjike, karakteristikat e relievit dhe kushtet klimatike të pellgut të Vjosës kanë kontribuar në një diversitet të madh habitatesh dhe speciesh, shumë prej të cilave mbeten të pazbuluara edhe sot e kësaj dite. Bollëku i Vjosës me peshq, duke përfshirë grykëderdhjen e saj dhe lagunën e Nartës, e bëjnë këtë rajon mjaft të rëndësishëm për peshkim dhe shumë banorë vendas e kanë ndërtuar jetesën e tyre bazuar në peshkim me praktika kryesisht tradicionale të cilat vazhdojnë edhe sot e kësaj dite.

/ata.gov.al