Pelikani kaçurrel shfaqet në Prespë (Fotot)

29

Pelikani Kaçurrel është bërë zot i Prespës, pasi mijëra individë kanë mbyllur shtegtimin, duke migruar në këtë perlë të natyrës.

Turistë vendas dhe të huaj janë mahnitur duke parë pelikanë, këtë specie të rrallë dhe nga më të bukurat e natyrës.

Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura shprehet se në liqenin e Prespës mund të shohësh lirshëm Pelikanin Kaçurrel. Në gjithë Prespën përfshirë dhe pjesët greke e maqedonase, numërohen 2400 individë të Pelikanit Kaçurrel.

“Në censin e fundit, në qershor bërë nga ADZM, Korçë dhe PPNE në Prespën shqiptare u numëruan 432 pelikanë, prej të cilëve 402 ishin të llojit kaçurrel dhe 30 pelikanë të llojit tjetër”, njofton AKZM.

Mrekullitë e liqenit të Prespës së Madhe nuk kanë të sosur.

Ky liqen akullnajor është i rrethuar nga druri i vanjës, i cili reziston pa u dëmtuar si material drusor mbi 500 vite. Dhe qershia mbi tortë e Prespës janë dy ishujt Maligradi, në territorin shqiptar dhe Golemgradi në territorin maqedonas.

Maligradi është i famshëm për kishën shekullore, por dhe Golemgradi si më i madh që është ka 7 kisha të vjetra.

Në breg mendohet të jetë dhe varri i Filipit, babait të Aleksandrit të Madh dhe aty afër mes kallamishteve folenizon dhe Pelikani Kaçurrel.

Natyra nuk njeh kufij gjeografikë, njerëzit po. Një guidë turistike e miratuar mes tre shteteve do e bënte më të njohur dhe të vizituar këtë liqen akullnajor.