Pas investimit në 19 njësi dentare të dentistrisë në shkolla, dy njësi të lëvizshme të shërbimit dentar do të jenë tashmë në dispozicion të zonave rurale, për të rritur aksesin në shërbimin dentar për fëmijët e shkollave.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, me ambasadoren e Zvicrës, Ruth Huber dhe përfaqësues të strukturave shëndetësore kanë marrë pjesë në aktivitetin për prezantimin e dy njësive të lëvizshme të dentistrisë.
“Tashmë ne vijmë me një stad të ri të investimeve për sa i përket programit të dentistrisë për fëmijët në shkolla dhe janë pikërisht këto dy njësi të lëvizshme të kujdesit dentar që do të mundësojnë që jo vetëm të kemi një kujdes dentar për fëmijët në zonat urbane, por edhe në zonat e thella, nëpërmjet njësive të lëvizshme, të cilët do të kenë edhe stomatologët, infermierët, teknikët të cilët do të kujdesen për shëndetin oral të fëmijëve në zonat e thella”, – tha ministrja e shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale tha se njësitë e lëvizshme dentare do të jenë në të gjithë vendin sipas një kalendari të caktuar.
“Në bashkëpunim me Klinikën Stomatologjike Universitare, që do të menaxhojë njësitë e lëvizshme, së bashku me njësitë vendore të kujdesit shëndetësor, Operatorin e Kujdesit Shëndeëtsor, do kemi një plan të detajuar për të mundësuar që fëmijët e zonave rurale në shkolla të mundet të edukohen në radhë të parë për kujdesin oral dhe depistohen për problematika të ndryshme të shëndetit oral, gjithashtu të munden edhe të trajtohen në këto njësi të lëvizshme”, – bëri me dije Manastirliu.
Ambasadorja Ruth Huber, e ka konsideruar një investim të rëndësishme për kujdesit dentar të fëmijëve në zonat rurale.
“Jam shumë e lumtur te jem me ju sot në inaugurimin e dy njësive të lëvizshme të kujdesit dentar për fëmijët e moshave shkollore të financuara nga Ambasada e Zvicrës. Dy njësitë e lëvizshme plotësojnë investimin e qeverisë shqiptare në ofrimin e këtij shërbimi për fëmijët të cilët jetojnë në zonat rurale”, – tha Huber.
Njësitë e lëvizshme të dentistrisë janë të pajisura me pajisje të fjalës së fundit të teknologjisë dhe do të shërbejnë si kabinete dentare të lëvizshme për nxënësit e shkollave, kryesisht në zonat rurale. Përgjatë vitit 2021-2022 Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka investuar në strukturat e kujdesit të arsimit parauniversitar me 19 njësi të reja dentare, ku 10 prej tyre u instaluan në Tiranë dhe të tjerat në tre qarqe, Elbasan, Durrës dhe Shkodër. Edhe këtë vit, MSHMS do të vijojë investimet në shkolla për të zgjeruar bazën e njësive dentare me unite të reja në të gjithë Shqipërinë.
/ata.gov.al