Për herë të parë një shqiptare/ Mimi Kodheli zgjidhet në postin e rëndësishëm në NATO

53

Deputetja Mimi Kodheli, Kryetare e Komisionit për Politikën e Jashtme, zgjidhet Zëvëndëspresidente e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, e para shqiptare e zgjedhur në këtë post.

Sot është mbajtur Mbledhja Plenare e Sesionit të 66-të Vjetor të Asamblesë Parlamentare NATO-s, në të cilën mori pjesë edhe Sekretari i Përgjithshëm NATO-s, Jens Stolenberg.

Mimi Kodheli, njëherazi Kryetare e delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të NATOS, është zgjedhur, në unanimitet, Zëvëndëspresidente e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, e para shqiptare e zgjedhur në këtë post.

Mimi Kodheli është Doktore e Shkencave Ekono­mike prej vitit 2007 dhe Master në Administrim Biznesi nga Universiteti Lincoln, Nebraska, SHBA, në bashkëpun­im me Universitetin e Tiranës në vitin 2000. Ajo është diplomuar në Universitetin e Tiranës, Fakulteti Ekonomik, Dega Financë, në vitin 1986.

Kodheli ka hyrë në politikë në vitin 2002, kur edhe u emërua Zëvëndëskryetare e Bashkisë së Tiranës. Në vitin 2005, u emërua Prefekte e Qarkut të Tiranës. Prej vitit 2009 është zgjedhur deputete e Kuvendit të Shqipërisë. Në karrierën parlamentare ka mbajtur pozicionin e Zëvëndëskryetares së Komisionit të Ekonomisë dhe Financave përgjatë legjislaturës 2009-2013 dhe aktualisht është Kryetare e Komisionit për Politikën e Jashtme. Gjatë viteve 2013-2017 ka shërbyer si Ministre e Mbrojtjes e Shqipërisë.