Përgjigjja e duhur për dy pyetjet më të shpeshta në një intervistë pune

126

Dy prej pyetjeve të bëra më shpesh në një intervistë pune janë: “Cila është pika juaj më e fortë?” dhe “Cila është pika juaj më e dobët?”

Të gjithë prej nesh e dimë që mundësitë që këto pyetje të bëhen gjatë një interviste pune janë shumë të larta, prandaj edhe secili prej nesh e ka gati një përgjigje për to. Por ju duhet të mendoni ndryshe nëse doni të jepni një përgjigje sa më të zgjuar dhe të dalloni kështu nga të gjithë aplikantët e tjerë.

Cila është pika juaj më e dobët?

Formula e vjetër e përgjigjes për këtë pyetje është që pasi të kemi evidentuar pikat tona të dobëta, t’i shndërrojmë ato në pikat tona më të forta. Kjo do të ishte idealja, por në fakt duket qartazi që është një përgjigje klishe dhe burimet njerëzore e njohin shumë mirë një përgjigje të tillë, e cila jepet thjesht sa për të kaluar në një pyetje tjetër.

Në vend të kësaj, ju mund të përmendni vërtet një pikë tuajën të dobët. Askush prej nesh nuk është perfekt dhe të gjithë kemi pikat tona të dobëta. Përmendja e njërës prej tyre mund të shihet pozitivisht nga ana e burimeve njerëzore, sepse ju si person e pranoni që keni pika të dobëta dhe madje edhe i tregoni ato kur ju pyesin. Dhënia e një shembulli konkret do t’jua lehtësojë më shumë përgjigjen ndaj një pyetje në fjalë. Pasi të keni treguar pikën tuaj të dobët, jo do të vazhdoni të tregoni hapat që po ndiqni për ta përmirësuar atë. T’i përgjigjeni kësaj pyetje me një mësim të marrë, do të thotë vetëm rritje dhe zhvillim, dhe do të jenë pikërisht këto dy elemente në krahasim me pikën tuaj të dobët, që do të mbahen më shumë mend në fund të intervistës.

Cila është pika juaj më e fortë?

Mënyra më e zgjuar që ju mund t’i përgjigjeni kësaj pyetje është që ta shoqëroni atë me vetëbesim të madh dhe jo me mendjemadhësi dhe me arrogancë. Këtu duhet të tregoheni shumë të kujdesshëm, sepse ka një vijë shumë të hollë që i ndan këto të dyja nga njëra-tjetra, dhe të shumtë janë ata që gabojnë. Ju mund të zgjidhni një pikë tuajën të fortë dhe ta shoqëroni atë me një cilësi të karakterit tuaj. Për shembull, nëse ju flisni për komunikimin, atëherë ju duhet të mundoheni të tregoheni sa më elokuentë dhe ta shprehni mendimin tuaj sa më qartë.  Por ashtu siç edhe u përmend pak më lart, duhet të tregoheni të kujdesshëm që të mos e tregoni atë me arrogancë, me mendjemadhësi, sepse të jeni të sigurt që do t’i ulni vetes pikë.

Pra mënyra më e mirë që ekspertët këshillojnë për t’i dhënë përgjigje pyetjeve të mësipërme është që të tregoni se ju jeni në gjendje të tregoni sypatrembur një pikë tuajën të dobët dhe po me të njejtin besim, por në këtë rast me përulësi, të tregoni edhe një prej pikave tuaja të forta. Kjo është një prej mënyrave më të mira në rrugën drejt suksesit.