Përkujtohet Androniqi Zengo, gruaja e parë piktore në historinë e artit figurativ shqiptar

4

Më 26 maj 1913, u lind ikonografja, piktorja dhe mësuesja dardhare, Androniqi Zengo Antoniu. Ajo njihet si e para piktore grua në historinë e artit figurativ shqiptar.

Mjeshtërinë do ta niste nën gjurmët e të atit, Vangjel Zengos dhe të motrës, duke restauruar pikturat murale të Shën Mërisë, të Shën Thanasit në Korçë, të Shën Kollit në Hoçisht etj.

Studimet e larta i kreu në Shkollën e Arteve të Bukura në Athinë, ku spikati për rezultate të shkëlqyera dhe më pas vazhdoi studimet në “Ecole Des Belles Artes” në Paris.

Kthimi në atdhe e gjen Androniqin në Korçë në rolin e mësonjëses pranë shkollës femërore.

Në vitin 1937, në kuadrin e festimeve të 25-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, Zengo çel ekspozitën e parë të saj me piktura që i përkasin kohës si mësonjëse. Ndërsa një vit më vonë, ajo do të çelte një ekspozitë të dytë dhe vlerësimi për figurën e saj do t’i kalonte përmasat lokale, duke e shndërruar Zengon si model frymëzimi për femrën atëkohë.

Piktore e cilësuar që në hapat e saj të parë si “impresioniste”, me mbi 500 vepra në vaj, një pjesë e të cilave ndodhen në Galerinë e Arteve në Tiranë. Si ikonografe ka punuar në zbukurimin e tetë kishave në Korçë, Tiranë dhe vende të tjera të Shqipërisë.

Më tutje, emri i saj do të përmendej në galeritë apo në panairet me të suksesshme të kohës. Në vitin 1940, Zengo do të nderohej në Bari të Italisë për veprën “Kalaja e Petrelës”. Pjesë e ekspozitës ishin edhe zëra unikë të pikturës shqiptare, sikurse Vangjush Mio dhe Zef Kolombi.

Artistja do të vlerësohej gjatë periudhës së komunizmit brenda edhe jashtë vendit për punën e saj krijuese. Në pikturat e saj mbizotrojnë portretet, peisazhi, dashuria për kostumet dhe vendlindja e saj Dardha.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave sjell një autoportret të Zengos, si edhe kopertina e një libri që i është dhuruar.

/ata.gov.al