Përkujtohet Asdreni, autori i Himnit të Flamurit

4

Muzeu Historik Kombëtar ka përkujtuar në 151-vjetorin e lindjes autorin e Himnit të Flamurit, Asdrenin.

Asdreni (Aleks Stavre Drenova, 1872-1947), ishte poet dhe veprimtar patriot, autor i Himnit të Flamurit. Lindi në Drenovë të Korçës. Shkollimin e mesëm e nisi në gjimnazin e qytetit. I mbetur jetim mërgoi në Rumani (1885); u rikthye në atdhe disa herë (1889, 1914, 1937) për pak kohë.

Ai kreu Akademinë Tregtare të Bukureshtit dhe më pas u regjistrua në Fakultetin e Shkencave Politike të Universitetit të atjeshëm, të cilin nuk arriti ta përfundonte. Asdreni ka qenë veprimtar i shquar i kolonisë shqiptare të Rumanisë dhe sekretar i saj për një periudhë (1913-1925); në periudhën 1922-1934 shërbeu, me disa ndërprerje, si sekretar i Konsullatës Shqiptare të Bukureshtit.

Asdreni mori pjesë në mbledhjen e Bukureshtit të 5 nëntorit 1912, në të cilën u vendos të shpallet pavarësia e Shqipërisë. “Betimi mbi flamur” e vjersha të tjera të muzikuara prej tij me frymëzim atdhetar luajtën një rol të shënuar në forcimin e ndërgjegjes kombëtare në prag e pas Shpalljes së Pavarësisë dhe në periudhën e konsolidimit të shtetit shqiptar. I shqetësuar gjithnjë për fatet e Atdheut trajtoi në periodikë të kohës (“Albania”, “Drita”, “Shqipëria e Re” etj.) probleme politike e shoqërore përmes një vargu artikujsh me orientim demokratik e frymë konstruktive.

Idealist i përkushtuar, Asdreni e mbylli jetën në varfëri të plotë. Vdiq në Bukuresht më 11 dhjetor 1947.

/ata.gov.al