Përkujtohet në ditën e lindjes kompozitori Tish Daija

2

Më 30 janar 1926 u lind kompozitori dhe muzikanti shqiptar Tish Daija.

Ai ishte autori i baletit të parë shqiptar, autor i qindra krijimeve muzikore me njohje kombëtare dhe ndërkombëtare, pedagog e akademik, drejtues historik i Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore.

Krijimtaria e Tish Daisë është e madhe dhe e larmishme. Ai krijoi muzikë në të gjitha gjinitë muzikore si: opera, balete, simfoni, vepra instrumentale e vokale, poema, këngë popullore e të lehta, këngë për fëmijë, etj.

Tish Daija ishte kontribuesi kryesor në zhvillimin e përpunimin e thesarit popullor duke kompozuar këngë e muzikë të shumë valleve popullore që sot janë kryeveprat e fondit të artë të Ansamblit Popullor.

Nën drejtimin artistik të Tish Daisë për 18 vjet rresht, Ansambli lëvroi dhe zhvilloi traditën muzikore dhe të valleve të të gjitha trevave shqiptare duke u shndërruar në një pishtar të kulturës kombëtare dhe e shtriu aktivitetin e tij jo vetëm në Shqipëri, por edhe në shumë vende të botës, ku u nderua me çmime ndërkombëtare, përfshi këtu edhe Gjerdanin e Artë në Dizhon të Francës. Për gjithë veprimtarinë e tij të madhe e të suksesshme, ai u nderua me dekoratën e lartë “Nder i Kombit”.

Ndërroi jetë më 3 tetor 2003.

/ata.gov.al