Përmbyllet restaurimi i çatisë në Kishën e Shën Kollit në Saraqinisht

19

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër në bashkëpunim me komunitetin e zonës ka filluar ndërhyrjen në çatinë e hajatit të Kishës së “Shën Kollit” në fshatin Saraqinisht duke përmbyllur gjithë fazën e restaurimit të çatisë të këtij objekti.

Ndërhyrja emergjente kishte nisur që gjatë vjeshtës pasi restaurimi i një pjese të çatisë të narteksit të Kishës së “Shën Kollit” u pa e domosdoshme përpara se moti i keq i dimrit ta dëmtonte përfundimisht.

Kisha daton më 1630 dhe përbëhet nga narteksi, naosi dhe eksonarteksi ose hajati i hapur.

Naosi është i tipit në formë kryqi me kupolë, me përmasa të brendshme 8.0 m x 6.8 m. Narteksi paraprihet në anën perëndimore nga hajati i hapur me një radhë kollonash në ballë. Hajati mbulohet me çati njëujëse, më të ulët nga ajo e narteksit.

Kisha e Shën Kollit në Saraqinisht është Monument Kulture i Kategorisë I. Në ndërtim janë përdorur edhe kolona antike guri të marra nga Antigonea. Këto mund të vërehen në hajat, ndërsa një e tillë e plotë ndodhet në oborr.

/ata.gov.al