Permeti i verës së mirë, ja kantina që shet 70 mijë shishe çdo vit (FOTOT)

190

Përmeti nuk është vetëm qyteti i bukur i luleve, por edhe i ushqimeve me shije të veçantë dhe i verës së mirë.

Kantina “Bejko” prodhon verë kryesisht me rrush autokton si “Debina e Bardhë”, “Sheshi i Bardhë” e “Kallmeti” prej rreth 10 vitesh.

Kjo kantinë  ka përfituar dy herë mbështetje me fonde në shumën rreth 16 milionë lekë. Në vitin 2018, përfitoi nga projekti Skema Kombëtare, dhe aktualisht nënshkroi kontratën si përfitues te skema IPARD, për të blerë pajisje dhe makineri të teknologjisë së fundit.

Falë kësaj mbështetje ky biznes familjar është rritur vit pas viti, si dhe bashkëpunon me rreth 40 fermerë të tjerë të zonës, të cilëve iu blen rrushin.

“Bejko” shet çdo vit në tregun vendas rreth 70 mijë shishe vere të një cilësie shumë të mirë.

Kantina “Bejko” ndodhet buzë rrugës nacionale, në fshatin Piskovë, Përmet. Në mes të vreshtave të njohura të Piskovës, konstruktuar në vazhdimësi të kantinave tradicionale, ofron prodhime tipike me cilësi. Pas një aktiviteti shumëvjeçar Bejko është konsoliduar në rrjetin tregtar në të gjithë vendin nëpërmjet cilësisë dhe sasisë së prodhimit. Përpunimi i rrushit, prodhimi i verës dhe ruajtja në kantinë bëhet në kushte natyrale. Varietetet e rrushit që përpunohen janë të grumbulluara në rrethin e Përmetit.