Përveç çertifikatave edhe dokumentet e shëndetit mund të tërhiqen ‘online’

307

Bashkë me çertifikatat, qytetarët dhe institucionet publike do t’i thonë lamtumirë edhe vërtetimeve të pensionit dhe kartës së shëndetit. 

Me këtë vendim, qeveria “zhduk” nga qarkullimi të tjera dokumenta që kërkohen kryesisht nga institucionet shëndetësore dhe kujdesit social, duke shmangur kështu radhët nëpër sportele.

Edhe këto dy dokumente tashmë do të mund të shkarkohen elektronikisht. Ata që përfitojnë nga kjo masë antiburokraci janë të moshuarit dhe pensionistët.

“Këshilli i Ministrave ka vendosur që vërtetimet e pensionit dhe kartën e shëndetit, duke filluar nga kjo javë, qytetarët mund t’i shkarkojnë nëpërmjet portalit elektronik e-Albania. Çdo institucion nuk do të kërkojë më nga qytetarët këto dokumente, por do të dërgohen “online”, duke kursyer sorrollatjet e panevojshme të të gjithë atyre që do të marrin këto shërbime”, tha ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.

Portali e-Albania është portali qeveritar ku shërbimet që gjenden në zyra dhe sportele fizike të institucioneve, ofrohen kudo dhe kurdo në mënyrë elektronike. Tashmë, aplikimi për një kartë shëndeti do të bëhet në këtë portal, bashkë me vërtetimin e pensionit.