Pesë euro për të parë Venecian

15

Turistët që dëshirojnë të vizitojnë qytetin italian, Venecia do të duhet të paguajnë një tarifë për herë të parë, si pjesë e një procesi që synon të dekurajojë vizitorët ditorë gjatë pikut të sezonit, duke nisur nga sot.

Gjatë tre dekadave të fundit, Venecia është bërë një nga viktimat më të dukshme të mbipopullimit për shkak të turizmit masiv.

Qyteti aktualisht mirëpret rreth 30 milionë vizitorë në vit, shumë më tepër se 50 000 banorë që në fakt e quajnë atë shtëpinë e tyre. Dhe më shumë se dy të tretat e vizitorëve vijnë vetëm për një ditë.

Vizitorët ditorë do të duhet të paguajnë një tarifë aksesi prej 5 eurosh midis orës 8:30 të mëngjesit dhe 4:00 pasdite, përveç rasteve kur bëhen përjashtime.

Banorët e rajonit Veneto, njerëzit që punojnë, studiojnë ose kanë lindur në Venecia dhe kushdo që ka rezervuar strehim në qytet do të përjashtohen nga kërkesa për të blerë një biletë.

Në mesin e atyre që përjashtohen do të jenë edhe fëmijët nën 14 vjeç. Në disa raste kërkohet një kupon përjashtimi.

Fillimisht, kjo do të zgjasë deri më 5 maj dhe më pas pothuajse çdo fundjavë deri në mes të korrikut, për një total prej 29 ditësh këtë vit.

Më pas do të merret një vendim deri në fund të vitit nëse kjo do të bëhet një marrëveshje e përhershme.

Fluksi i vizitorëve nga e gjithë bota sjell shumë para në arkat e pikës turistike.

Megjithatë, turizmi masiv prej disa kohësh po shkakton probleme edhe për Venecian – një nga destinacionet turistike më të famshme në botë.

Qendra historike me “Piazza San Marco”, Urën e Rialtos dhe kanalet e shumta tani ka më pak se 50 000 banorë të përhershëm.

Vitin e kaluar, u vlerësua se rreth 15 milionë vizitorë udhëtuan në qytet.

Mospagimi i biletës së hyrjes mund të rezultojë në një gjobë prej 50 deri në 300 eurosh.

Sipas këshillit bashkiak, të ardhurat do të përdoren për rinovimin e kanaleve, rrugëve dhe ndërtesave.

/ata.gov.al