Plazh për të moshuarit! Hapet qendra e re e pushimit për personat e moshës së tretë

22

Burrat dhe gratë e Shtëpisë së të Moshuarve Tiranë, po kalojnë pushimet në qendrën verore të Palasës në Himarë, në një nga zonat më të bukura të vendit.

Kjo strukturë do të shërbejë si qendër ditore komunitare por edhe si shtëpi pushimi për të moshuarit e vetmuar që janë në institucionet e kujdesit shoqëror në të gjithë vendin.

Të parët që pushuan në qendrën e re të Palasës ishin vizitorët e Shtëpisë së të Moshuarve nga Tirana.

Qendra e re komunitare për moshën e tretë në Palasë është një investim i qeverisë shqiptare me vlerë  82 milion lekë, që ka shndërruar një ambient të braktisur dhe të rrënuar prej vitesh, në një qendër komunitare moderne, me standarde bashkëkohore, që do t’i shërbeje të gjithë të moshuarve të qendrave të kujdesit social në të gjithë vendin, por edhe grupeve të tjera sociale, si fëmijëve pa përkrahje, grave në nevojë.

Kjo strukturë e re ka kapacitet me 37 shtretër, me 13 dhoma, me pajisje moderne, e ndërtuar me infrastrukturë bashkëkohore, bazuar në standardet e përkujdesit shoqëror për të moshuarit në institucionet publike dhe jopublike, ku i është dhënë rëndësi jo vetëm ofrimit të shërbimeve bazë por edhe krijimit të mundësive për aktivitete rekreative.

Qendra ka bibliotekën, sallën e kinemasë, sallën e aktiviteteve, dhe disa ambinte të tjera të përbashkëta për të kaluar kohën e lirë të moshuarit që janë në qendrat rezidenciale publike. Investimi i bërë nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale nuk ka synuar vetëm përshtatjen e infrastrukturës, por dhe personelin e kualifikuar që i shoqëron të moshuarit.