Poetja shqiptare Irma Kurti shpallet “Akademike dhe Presidente nderi” e Enciklopedisë Poetike italiane

3

Poetja dhe shkrimtarja Irma Kurti është nderuar me titullin “Akademike dhe Presidente Nderi” e Enciklopedisë Poetike Wikipoesia, krijuar në Itali në 2019 me rastin e Ditës Botërore të Poezisë. Në Presidencën e Nderit pranohen deri në dhjetë personalitete në fushën  e poezisë.

Wikipoesia përshkruhet nga media e shkruar si “Wikipedia e poezisë”.  Në kontekstin e poezisë bashkëkohore, ajo përfaqëson rrjetin më të madh ndërlidhës dhe të vetmen enciklopedi poetike semantike në botë.

Irma Kurti ka botuar njëzet libra në gjuhën shqipe, dymbëdhjetë në italisht dhe katër në anglisht. Ka shkruar rreth 150 tekste këngësh për të rritur e fëmijë dhe njihet si autore e këngëve të suksesshme në festivale të muzikës së lehtë në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni. Shkruan tekste dhe në gjuhën angleze e italiane, të cilat janë hedhur në tregun ndërkombëtar të muzikës nga shtëpi diskografike italiane.

Në vitin 2013 fitoi çmimin ndërkombëtar “Universum Donna” për letërsinë dhe emërtimin “Ambasadore e Paqes” nga Universum Academy dhe Universiteti i Paqes në Lugano, Zvicër.