Policia ‘hap dyert’ për studentët me mesatare mbi 8, ja sektorët ku do punësohen

88

Më shumë se 100 studentë, që kanë mbaruar me rezultate të larta, do të kenë mundësi të bëhen pjesë e Policisë së Shtetit, në disa sektorë ku mungojnë specialistët.

Me hyrjen në fuqi të ndryshimeve ligjore, pas pak ditësh në Akademinë e Sigurisë do të kenë mundësi të aplikojnë të gjithë studentët që kanë dëshirë t’iu bashkohen uniformave blu.

Policia e Shtetit ka hapur dyert e Akademisë së Sigurisë për studentët që kanë përfunduar me rezultate të larta në ekonomi, financë, informatikë, elektronikë dhe jurisprudencë.

Kriteri kryesor është mesatarja mbi 8, ndërsa policia kërkon burime njerëzore kryesisht në degë deficitare për këtë organizatë, si ekonomia, financa, informatika, elektronika dhe jurisprudenca.

Studentët që do të përzgjidhen, do t’i nënshtrohen për 9 muaj një kursi intensiv në Akademinë e Sigurisë, për t’u emëruar më pas në sektorët e luftës kundër krimit ekonomiko-financiar, korrupsionit dhe krimit kibernetik.

Në përfundim të kursit, studentët do të marrin automatikisht edhe gradën nënkomisar. Ndyshimet e fundit ligjore krijuan mundësi, që nga 1% e totalit të organikës, numri i personave që pranohen në polici për nevoja të veçanta të shkojë në 3%.

Sipas të dhënave, vendi ynë ka vetëm 334 policë për 100 mijë banorë, ndërsa Kroacia ka 489 policë për 100 mijë banorë; Serbia ka 596 të tillë; Mali i Zi 645; si dhe Sllovakia plot 409 policë për 100 mijë banorë.