Portret/ Bekim Fehmiu, “Uliksi” shqiptar i filmit

356

Me rrënjë nga një familje gjakovare, më 1 qershor të vitit 1936 në Sarajevë, lindi Bekim Fehmiu, djali i një familjeje atdhetare. Mjafton të kujtojmë se, babai i tij u varros me flamur kombëtar shqiptar në kohën kur Flamuri Kuq e Zi ishte i ndaluar rreptësisht nga serbët në Kosovë. Bekimi u rrit në Prizren. Aty kishte shokët e fëmijërisë dhe Prizrenin e konsideronte si vendlindjen e tij. Shkollimi dhe jeta prej aktori, e detyruan atë të qëndronte për kohë të gjatë në Sarajevë dhe Beograd, ku ishin qendrat kryesore të teatrit dhe filmit në ish-Jugosllavi.

Bekim Fehmiu është aktori shqiptar që, mes vezullimit hollivudian dhe polemikës nacionaliste, arriti dhe vazhdon të jetë, aktori me famë më të gjerë ndërkombëtare i të gjitha kohërave, së bashku me vëllezërit Belushi. Por të ishe një aktor që i përkisje industrisë së filmit të Jugosllavisë së atëhershme, nuk ishte e njëjtë me jetën dhe karrierën e një shqiptari të lindur në SHBA. Nuk di se si do të përshkruhej fëmijëria jonë, nëse në të do të kishte munguar “Odisea” e Bekim Fehmiut.

Aventurat e tij të jashtëzakonshme në përballje me ciklopin, circet, perënditë dhe armiqtë i ngjasonin shumë luftës së brendshme që shqiptarët kishin kudo ku ndodheshin, sepse vendet ku shqiptarët jetonin ishin të robëruar shpirt e trup ndaj personazhi legjendar i Odisesë, sikur shpaguante vuajtjet shekullore të kombit.

Adhurimi për heroin shoqëronte sekuencat e filmit seri pas serie dhe krenaria bëhej më e plotë kur në titra lexohej emri i tij, Bekim Fehmiu. Ai, heroi i kohërave homerike, ishte shqiptar, edhe pse në film fliste italisht.

Ishte koha kur, për shkak të një bllokade totale dhe të hekurt, sa i takon informimit dhe teknologjisë, fytyra e Fehmiut vetëm se imagjinohej nga shqiptarët e Shqipërisë. Por ai e theu këtë bllokadë në vitin 1972, në vizitën e tij të parë në Shqipëri, disa vite pasi kishte interpretuar filmin “Odisea”, film që i dha famë ndërkombëtare. Ndërsa udhëtimi i dytë dhe i fundit do të vinte shumë vjet më vonë, në një epokë plotësisht tjetër, në vitin 2001.

“Me sa duket, fati im ka qenë që, çdo 30 -31 vjet, të jem në Shqipëri. Për herë të parë kam qenë në vitin 1939, së bashku me familjen time, dhe pas 10 vjetëve më 1949 jam kthyer në shtëpinë time në Kosovë. Në vitin 1972 kam qenë i ftuar nga Pirro Milkani dhe Dhimitër Anagnosti, si mysafir në Kinostudion “Shqipëria e re”. Dhe ja ku jam tani, duke recituar vargje për flamurin shqiptar” – do të shprehej ai shumë i emocionuar, gjatë vargjeve të cilat i recitoi në një spektakël të vitit 2001.

Rrugëtimi i gjatë i një artisti kozmopolit

Rrugëtimi i tij jetësor lidhet mes Sarajevës, Shkodrës, Prizrenit, Prishtinës dhe Beogradit. Fehmiu gjatë karrierës së tij, ka luajtur 40 filma të metrazhit të gjatë si në kinematografinë jugosllave edhe atë europiane, duke arritur madje edhe në Hollywood. Ka bashkëpunuar ngushtë me emrat e njohur të filmit, si: John Houston, Ava Gardner, Dirk Bogart, Sharl Aznavur, Irene Papas, Claudia Cardinale, Candice Bergen. Në vitin 1987, Fehmiu, në shenje proteste kundër propagandës antishqiptare dhe përhapjes së urrejtjes ndaj shqiptarëve, braktisi shfaqjen “Madame Kolontine” të Anete Playel, ku luante Leninin dhe Stalinin. Ka interpretuar në shqip, serbisht, maqedonisht, turqisht, në gjuhën rome, spanjisht, anglisht, frëngjisht dhe italisht. I martuar me një artiste serbe, ishte nga ata njerëz që nuk e braktisi në asnjë moment Beogradin, por edhe që nuk iu tremb për asnjë moment, të qenit shqiptar.

“Nuk kam shkuar të bëhem aktor që të bëhem i famshëm, që të më doni ju vashat e bukura, por kam shkuar me një mision: Që ta pasuroj njeriun nga pikëpamja mendore dhe ta begatoj nga pikëpamja shpirtërore. Arti është iluzion. Të më kishte thënë Mate Milosheviq, profesori im i aktrimit në Beograd, në orën e parë të aktrimit që arti është iluzion, që nuk është asgjë, atë moment do ta kisha ndërruar, do të isha bërë stomatolog. Kam dashur që me punën time të nderoj njerëzit. Për mua aktrimi i dikurshëm ishte një mision i bekuar. Arti ka qenë mesazhi që unë kam sjellë”, – pohonte vetë aktori, duke shpjeguar angazhimin dhe lidhjen e tij me aktrimin.

Siç e ka vlerësuar shkrimtari dhe producenti i njohur italian, Francesko Scadarmaglia, Bekim Fehmiu ka qenë aktori i vetëm i hapësirës së vendeve ish -socialiste, i cili me sukses ka luajtur më shumë se 20 vjet në perëndim, duke e thyer perden e hekurt, deri te shfaqja e M. Gorbatchov-it dhe rënia e murit të Berlinit.

 “Mbledhësit e puplave”

Është filmi që e bëri të famshëm. Filmi është xhiruar në vitin 1967, i bazuar në stilin e jetesës së romëve në veri të Vojvodinës. Rrëfimi përfshin tema komplekse si dashuria, raportet ndëretnike dhe sociale. “Mbledhësit e Puplave” konsiderohet si kryevepër e kinematografisë jugosllave, kurse aktrimi i Fehmiut është cilësuar brilant.

Filmi ka qenë i nominuar për çmimin Oscar në kategorinë e filmit më të mirë të huaj, ndërkohë që ka fituar çmimin Special të Jurisë në Festivalin e Cannes.

Kur Penelopa dhe Uliksi flisnin shqip

I rikthehemi shpesh filmit (Odisea-1968), të regjisorit Dino de Laurentis, realizuar nga Raiuno, ku Bekim Fehmiu luan rolin kryesor, atë të Uliksit. Ngjan sikur ky rol është bërë pikërisht për të. Ai është mahnitës në krah të partneres Irene Papas në rolin e Penelopës. Ky projekt filmik, ndër më gjigantët e kohës, është shfaqur disa herë gati në të gjitha televizionet botërore.

Ndër mbresat e qëndrueshme të këtij filmi, merr vlerë të veçantë rrëfimi i aktorit për ditët e xhirimeve, kur ai kishte zbuluar origjinë e vërtetë të aktores greke, Irene Papas. Faktin që Irene Papas ishte vërtet arvanitase, ai e kishte zbuluar gjatë pauzave të xhirimit, kur të dy aktorët ishin tërhequr anash, kishin pëshpëritur diçka në një gjuhë që ekipin e serialit e bënte më kureshtar: Ç’gjuhë flisnin Penelopa dhe Uliksi? Më vonë, mjetet e informimit kishin zbuluar se rolet kryesore i interpretonin dy aktorë me origjinë shqiptare. Ndoshta ata interpretonin një episod nga lashtësia e tyre.

Krenaria dhe indinjata

Producenti Dino de Laurentis në shtypin italian, e kishte reklamuar Fehmiun si aktor me origjinë greke. Bekimi, ndaj shtrembërimit të pahijshëm të origjinës së tij, kishte kërkuar përgënjeshtrim, përndryshe do të braktiste xhirimin.

Kishte ndodhur kjo edhe në shtypin spanjoll, ku aktori ynë ishte prezantuar si jugosllav i amerikanizuar, pastaj ishte korrigjuar, se Bekimi është një shqiptar nga Kosova, pra Jugosllavia. Kishte pasur edhe kërcënime nga bashkëproducenti i njohur amerikan, Louis Gilbert, se, nëse Bekim Fehmiu nuk pranon të ndërronte emrin dhe origjinën “Paramaunti” mund të ndërronte aktorin. Por Bekim Fehmiu nuk e ndërroi emrin e tij dhe e njëjta histori përsëritet pothuajse në të gjitha filmat e tij.

“Nuk ka qenë aspak e lehtë të ruash emrin. Ju duhet ta dini se jam i pari shtetas nga të gjitha shtetet lindore komuniste, që nuk kam pranuar ta ndërroj emrin tim shqiptar. Kam qenë në Romë, për xhirimet e filmit “Aventurierët”. Pas pesë javë xhirimi, më thërrasin dhe më urdhërojnë të ndërroj emrin. – Jo – u them prerë. – Ky është emri im dhe unë vetëm me këtë emër do të punoj. Në qoftë se nuk pranoni ju, unë e prish kontratën e filmit me ju. Atëherë, pata ndërhyrje e presione nga me të ndryshmet, pasi u shkaktoja shumë dëme financiare po të largohesha nga xhirimi, sepse ishim në mes të filmit dhe ai duhet të përfundonte sa më parë. Kështu, ata u detyruan të më imponohen me emrin tim shqiptar” – ka rrëfyer Bekim Fehmiu.

Bekim Fehmiu dhe polemika shterpë nacionaliste

Bekimi Fehmiu ishte një artist i formatit të madh, i cili besonte në të ardhmen dhe në vete kultivonte një filozofi: Patjetër duhet ngadhënjyer! Etikë kjo e njerëzve që kanë besim në rrugën e tyre, edhe pse në atë udhë mund të jenë vetmitarë. Bekim Fehmiu, në të gjithë hapësirën ballkanase, është gati në përmasat e një miti dhe ka mbetur i tillë.

Prej vitesh, ishte shkëputur nga aktrimi dhe për të shpjeguar largimin e tij, në kohën kur suksesi i tij ishte ndërkombëtarizuar, vjen në ndihmë intervista e fundit dhënë për mediat në vitin 1987. Aty shpjegon gjithçka:

“Intervistën e fundit, atë të lamtumirës, e kam dhënë më 14 prill 1987 për gazetën serbe “Politika”, kur braktisa shfaqjen “Madame Kolontine”. Shkaqet për këtë vendim nuk kishin të bënin me të ashtuquajturin “mosorganizim” të shfaqjes, por arsyeja e vërtetë kishte të bënte vetëm me zgjerimin e propagandës dhe shtrirjen e urrejtjes antishqiptare, kudo në ish-Jugosllavi”, – do të komentonte aktori. Ky largim ishte reagimi i aktorit, është edhe ngadhënjimi i tij!

Fakti që kishte zgjedhur të jetonte në Beograd, shpesh e kishte vënë aktorin në shënjestrën nacionaliste të qarqeve të Kosovës. E gjykonin për këtë, ndonjëherë i hanin edhe hakun. Thoshin se nuk ishte reagues, se nuk kishte bërë asgjë për vendin e tij, por ai kishte zgjedhur formën e tij të reagimit: Atë të largimit nga aktrimi!

“Njeriu nuk duhet të fajësojë për diçka që i ndodh, as babanë, as vëllezërit, as fqinjën, as perënditë, por vetëm veten. Njëra nga tragjeditë tona lidhet me atë që, duke jetuar për shekuj së bashku, nuk kemi mësuar nga njëri-tjetri, por dhe kur e kemi bërë këtë, kemi mësuar vetëm të keqen. Gjërat e mira të shqiptarëve serbët nuk i kanë pranuar, ashtu si dhe shqiptarët nuk kanë marrë atë ç’ka serbët kishin pozitive. Fëmijëve të mi u kam treguar të vërtetën, duke i lënë të lirë të zgjedhin mënyrën si të jetojnë, ashtu siç kam bërë dhe vetë. I respektoj zgjedhjet e fëmijëve ashtu si nëna ime, Dija, ka respektuar zgjedhjet tona” – shprehej ai.

 

Dashuria

Ndërsa në udhëtimin e tij të parë në Shqipëri, Bekim Fehmiu erdhi vetëm, megjithëse prej vitesh ishte martuar me aktoren serbe, ish-shoqen e shkollës, Branka Petriç, në udhëtimin e dytë tij në vitin 2001, ai shoqërohej nga gruaja e tij. Përkatësia e saj, etnike tashmë ishte një problem i tejkaluar. Ndërsa kanë shëtitur për pak ditë Shqipërinë, nuk kanë munguar kontaktet me mediat, për të cilat, krahas aktorit shqiptar, është prononcuar edhe bashkëshortja e tij.

Një nga momentet interesante të këtij rrëfimi, lidhet me njohjen, dashurinë dhe martesën e tyre. “Ne jemi të dy në të njëjtin profesion”, – kujtonte Branka, – “studiuam të dy njëkohësisht dhe u përgatitëm të dy për teatrin, filmin dhe televizionin. Nuk është e lehtë të kuptosh problemet e aktorit, por ne e kemi kuptuar mjaft mirë njëri-tjetrin. Unë do të thosha se, për një kohë të gjatë, ne kemi qenë shokë në Akademinë e Arteve në Beograd, ku edhe jemi njohur, pastaj u bëmë miq, por ende nuk kishim rënë në dashuri. Kur jemi njohur, më kanë prezantuar për të luajtur së bashku”.

 

“Mësova që, ai ishte kolegu im dhe njëkohësisht partneri im në rolin që do të interpretonim. Kështu filluam karrierën artistike së bashku për pesë vjet, thjesht si kolege dhe miq, nga viti 1963 dhe në vitin 1968 u martuam. Do të përmendja vitin 1967 kur ne ishim në festivalin e Kanës në Francë, ku u luajt filmi “Cigani i lumtur” nga zoti Sasha Petroviç.

Ai film pati sukses dhe Bekimi u duartrokit shumë veçanërisht në momentin kur, në rolin e tij të ciganit, gjakos duart me copat e xhamit. Të gjithë e duartrokitën këtë film, të interpretuar bukur në gjuhën frënge. Pas suksesit të filmit, ne i shfaqëm dashurinë njëri-tjetrit dhe vendosëm që, dashurinë tonë ta kurorëzonim në martesë. Mbas Festivalit të Kanës, ai luajti Uliksin në filmin “Aventurat e Uliksit”, që pati një sukses të madh, por të gjitha filmat e tij kanë qenë në gjuhë të huaj. Ndaj u gëzova shumë kur e pashë Bekimin krenar të recitonte në sallën e Pallatit të Kongreseve në gjuhën shqipe, që ai e do kaq shumë”. Në vitin 2001, i ftuar në spektaklin “Dua më shumë Shqipërinë”, ai recitoi në gjuhën shqipe, duke ngritur peshë publikun në Pallatin e Kongreseve.

Bekim Fehmiu dhe Shkodra

Në kujtimet e tij, regjisori Pirro Milkani tregon: “Ftojeni në Shqipëri. Madje, ftojeni bashkë me gruan e tij serbe. Po ftesa le të jetë, ta themi hapur, private, nga ju, jo zyrtare. Kështu na udhëzoi në zyrat e Komitetit Qendror Behar Shtylla, një ndër diplomatët më të shquar të Shqipërisë. Dhe kështu u bë. Disa ditë para 1 majit të vitit 1973, erdhi në Tiranë Bekim Fehmiu, pa gruan e tij Branka Petriç Fehmiu. I kishim përgatitur një program të larmishëm, takim në Kinostudio me kineastët, në Lidhjen e Shkrimtarëve, në Teatrin Kombëtar, vizitë nga Durrësi në Sarandë, shfaqje të filmave tonë të fundit, një vend në tribunën qendrore në ditën e parakalimeve festive të 1 majit. Po kishim harruar Shkodrën. E ai e kërkoi vetë këtë. Pse? Pas Sarajevës, familja Fehmiu ishte transferuar në Shkodër e Bekimi kishte lënë aty kujtimet e fëmijërisë. Mbante mend se, në moshën katërvjeçare kishte “rënë në dashuri” me një shkodrane të bukur. E kërkoi, po nuk e gjeti. Fatmirësisht, e gjithë vizita e tij u fiksua në një filmkronikë kushtuar atij, të madhit Bekim Fehmiu. Një pjesë të atyre kujtimeve që i shkroi në librin e tij autobiografik, i mësuam ato ditë prej tij. Na tregoi se si vendosi të bëhej aktor dhe vullnetin e paparë për të qenë më i miri. I kushtoi shumë vëmendje të folurit skenik. Stërvitej në dhomën e konviktit, deri natën vonë, stërvitej në gjuhën serbe. E kur dikush dëgjonte zëra dhe shikonte një dritë ndezur pas mesnate, në katin e pestë, dhe pyeste portierin se ç’ndodhte aty, portieri e sqaronte.”

Vitet e fundit

Ai jetonte në Serbi, por e kishte bërë zakon viteve të fundit që, katër muajt e verës t’i kalonte në Prishtinë dhe shpesh kafenë e pinte në hollin e “Kino ABC”. Takonte miq të fëmijërisë, të afërm, artistë, çmallej teksa fliste me ta, ashtu i thjeshtë, deri në madhështi. Mëngjeseve vraponte dhe ky aktivitet sportiv, ishte kthyer në një pasion të qëndrueshëm, krahas të shkruarit që e bënte me shumë dëshirë. E kishte nisur këtë pasion në vitin 2001, me librin autobiografik “Shkëlqim dhe frikë”.

Në libër përshkruhet periudha që nga lindja e tij në Sarajevë, duke përfshirë gjithçka deri në vitin 1955, kur u pranua në teatrin e dramës së Prishtinës. Pak kohë më parë, kishte përfunduar edhe pjesën e dytë të dorëshkrimit të librit, shkruar në serbisht dhe që kap periudhën prej vitit 1956 e deri më sot. Në libër shpaloset një jetë e begatshme filmi: Rrëfime për udhëtimet e njerëzit që kishte takuar, logjikë e fortë dhe krenari kombëtare./AFP