Posta Shqiptare mbështet projektin e nxënësve të “Sami Frashërit” për fëmijët e shtruar në QSUT

54

Posta Shqiptare ka ofruar mbështetjen e saj për realizimin e një projekti të ndërmarrë nga nxënësit e gjimnazit “Sami Frashëri”, kauza e të cilit është e një rëndësie të veçantë.

Projekti konsiston në shitjen e disa bluzave, dizajnet e të cilave janë vizatime të realizuara nga fëmijët e shtruar pranë Qendrës Spitalore Universitare (QSUT), të cilët vuajnë nga sëmundje të rënda gjaku.

Me shitjen e bluzës, blerësi mund të postojë edhe një kartolinë në drejtim të fëmijëve të shtruar pranë QSUT-së, duke ndikuar sadopak në lumturinë e tyre.

Posta Shqiptare ka ofruar mbështetjen e saj për realizimin e projektit duke dhuruar 300 kartolina, 300 pulla postare si dhe postimin falas të tyre.

Shitja e bluzave u realizua në stendën e Postës Shqiptare, gjatë aktivitetit MotoFest 2019, ku Posta Shqiptare ishte mbështetëse kryesore e këtij eventi.