Pr/buxheti 2025; Rritja ekonomike 3.9%, borxhi zbret 55.8% të PBB

3

Ministri i Financave, Petrit Malaj paraqiti sot në Kuvend projektbuxhetin për vitin 2025, i cili tha ai, është 2 herë më i lartë se ai i vitit 2013, me një total prej rreth 8.2 miliardë euro.

“Ekonomia shqiptare po prodhon, po krijon më shumë vende të reja pune. Në fund të vitit 2024 pritet që papunësia të shkojë në nivelin 10.2%, dhe për vitin 2025 parashikimet janë që norma e papunësisë të zbresë në 9.8% të forcës aktive për punë, duke shënuar për herë të parë në këto tre dekada një normë papunësie një-shifrore. Pagat në sektorin publik janë rritur ndjeshëm dhe ne treguam se dimë të bëjmë realitet çfarë themi duke çuar pagën mesatare në sektorin publik në 900 euro. Edhe sektori privat ka të gjitha hapësirat për të ndjekur një vizion të tillë, pasi ekonomia jonë do të duhet të bëhet gjithnjë e më tërheqëse, dinamikat e zhvillimit janë të vrullshme dhe në këtë mënyrë do të mund të adresonim edhe më lehtë një nga sfidat më të mëdha me të cilat po përballemi, atë të demografisë”, deklaroi ministri.

Projektbuxheti për vitin 2025 materializon plotësisht objektivat kryesore të politikës fiskale, përmes një balance primare pozitive, reduktimit të borxhit publik, duke targetuar për vitin 2025 një nivel të borxhit prej 55.8% të PBB nga 56.3% i pritshëm për vitin 2024 dhe një raporti produktiv midis huamarrjes totale neto të buxhetit dhe shpenzimeve kapitale të qeverisë qendrore, duke realizuar një balancë korente pozitive prej 3.6% të PBB-së.

Për sa i përket perspektivës ekonomike, në skenarin bazë të programimit makro-fiskal për vitin 2025, parashikohet një rritje ekonomike prej 3.9%. Kjo rritje do të gjenerohet kryesisht nga kërkesa e brendshme, si nga konsumi privat ashtu edhe nga investimet totale në ekonomi. Në të njëjtën kohë, presim që edhe kërkesa e huaj neto të kontribuojë pozitivisht, veçanërisht për shkak të rritjes së eksporteve, përfshirë edhe eksportin e mallrave, por sërish me një rol të veçantë të eksporteve të shërbimit të lidhura kryesisht me sektorin e turizmit.

Të ardhurat buxhetore për vitin 2025, parashikohen në masën 754.6 miliardë lekë ose 28.8% e PBB-së. Krahasuar me planin e rishikuar për vitin 2024, të ardhurat buxhetore për vitin 2025 parashikohen me rreth 40.6 miliardë lekë më shumë.

Shpenzimeve për vitin 2025 janë parashikuar në masën 822.7 miliardë lekë ose 31.4% e Produktit të Brendshëm Bruto, me një rritje prej 51.4 miliardë lekë, krahasuar me planin e vitit 2024.

Investimet publike përgjatë 2025-2027 do të jenë rreth 6.2%, me një përqendrim te ato me rëndësi strategjike, të lidhura me Planin e Rritjes së BE.

Shpenzimet për subvencione janë parashikuar në masën 1.85 miliardë lekë. Sipas tij, subvencionet shtetërore për vitin 2025 janë fokusuar te nxitja e punësimit, ujësjellës-kanalizimet, shpenzime për veprimtarinë hekurudhore, etj.

Skema e Sigurimeve Shoqërore për vitin 2025, tha kreu i financave publike, parashikohet në masën 192.3 miliardë lekë ose 7.3% e PBB.

Qeveria shqiptare do të vijojë ruajtjen e vlerës së pensioneve nëpërmjet indeksimit, por njëkohësisht programohen fondet e nevojshme për bonusin e fundvitit për pensionistët, niveli i të cilit do të jetë i lidhur me performancën e ekonomisë në tërësi dhe performancën buxhetore të shtetit, me qëllim final sigurimin e më shumë të ardhurave për pensionistët. Përtej këtyre parashikimeve, sikurse jeni në dijeni, po vijon puna për rishikimin e skemës së pensioneve me qëllimin final ofrimin e një pensioni të denjë që i përgjigjet akoma dhe më shumë nevojave të kësaj shtresë e cila gëzon gjithë mbështetjen dhe angazhimin tone.

Duke u ndalur te investimet publike, për vitin 2025, ato do vijojnë të ruajnë një peshë të konsiderueshme në buxhetin e shtetit, për sa kohë që nevoja për zgjerimin dhe përmirësimin e cilësisë së aseteve publike mbetet e lartë.

Ato planifikohen në masën 6.2% e PBB ose 161.8 miliardë lekë, duke përfshirë këtu dhe fondin e rindërtimit, si dhe 4.5 miliardë lekë financime të pritshme mbi bazë projektesh nga Plani i Rritjes me BE. Në planifikimin e investimeve për vitin 2025 janë mbajtur në konsideratë të gjitha detyrimet kontraktuale për projektet e investimeve me financim të huaj dhe të brendshëm dhe do të ketë përparësi financimi i projekteve në vazhdim. Në raport me buxhetin e rishikuar të vitit 2024, vëllimi i investimeve publike në vitin 2025 parashikohet me rreth 11 miliardë lekë më shumë.

Ndër projektet më të rëndësishme për infrastrukturën rrugore dhe zhvillimin urban ministri përmendi korridorin e 8 nga Elbasan në Lekaj; bajpasi i Elbasanit; zgjerimi i autostradës Tiranë-Durrës arteria me e rëndësishme industriale e vendit; rehabilitimi i rrugës dytësore Tiranë-Ndroq-Plepa; Berat–Ballaban; korridori i 8 nga Elbasan në Qafë Thanë; projektet e nisura në infrastrukturën e ujësjellës-kanalizimeve që kapin vlerën totale prej 11.3 miliardë lekë; projektet e zhvillimit urban të implementuara nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit të financuara me 17.6 miliardë lekë.

Referenca: ata.gov.al