Instituti i Historisë në ASA organizoi prezantimin e botimit të plotë special “Historia e shqiptarëve gjatë shekullit XX” në pesë vëllime. Botimi është produkt shkencor i një numri të madh studiuesish të historisë, filozofisë, letërsisë, drejtësisë dhe çështjeve sociale.
Në aktivitet morën pjesë studiues nga Instituti i Historisë – IH / Albanian Institute of History, institutet në Akademinë e Studimeve Albanologjike, pedagogë nga FSHF në Universitetin e Tiranës, bashkëpunëtorë shkencorë dhe ekspertë të fushës.
I pranishëm ishte edhe Presidenti i Republikës, Bajram Begaj. Në emër të IH fjalën e rastit e mbajti drejtori prof. Afrim Krasniqi, si dhe drejtuesi shkencor i botimit, prof. Beqir Meta.
Gjatë aktivitetit u vlerësuan risitë e botimit të ri, ndarja e qartë me historiografinë e periudhës komuniste të dominuar nga propaganda dhe mitet, cilësia e kërkimit dhe problematikat e përfshira në trajtim, kontributi i autorëve dhe stafit realizues, nevoja jetike për respekt më të madh institucional e shtetëror ndaj albanologjisë, garantimit të parimit kushtetues të lirisë akademike dhe lirisë së kërkimit shkencor, si dhe për debat të hapur, alternativ dhe profesional mbi tezat dhe argumentet, bazuar në standardet më të mira të kërkimit dhe dokumentet arkivore. Për autorët, në shenjë mirënjohje u shpërndanë certifikatat e angazhimit.
/ata.gov.al