Prifti gjerman i Fushë-Arrëzit ngjall shpresën e banorëve të varfër

308

I ardhur në Fushë-Arrëz prej tetorit 2008, prifti Andreas Waltermunh nga rajoni i Vestfalisë në Gjermani është kthyer në një institucion për banorët e varfër të qytezës së Fushë-Arrëzit dhe fshatrave përreth. Ai e ka fituar këtë status duke udhëtuar 500 kilometra çdo javë nga njëri cep i zonës në tjetrin, ku perveç predikimeve fetare, monitoron situatën sociale dhe mban  shënim hallet e banorëve.

Pas tetë vitesh shërbim në Fushë-Arrëz, Pader Andreas njeh në detaje problemet e zonës, ndërkohë që përpjekjet e tij kanë përmirësuar jetën e qindra banorëve, në qytezë apo në fshatrat përreth. Prifti katolik numëron 180 projekte ndërtimesh të realizuara prej tij, të cilat përfshijnë infrastrukturën, por edhe ndërtimin e shtëpive për banorët më të varfër të komunitetit.

Pader Andreas i tha BIRN se misioni i tij për zbutjen e varfërisë në zonë ka ecur në gjurmët e punës që kishin bërë më parë Motrat Françeskane. Të ardhura në Fushë-Arrëz prej vitit 1998, ato shfaqën një angazhim të fortë social me ngritjen e kopshteve për fëmijët, ambulancave për të sëmurët apo shpërndarjen e ndihmave për njerëzit në kufinjtë e varfërisë.

Prifti katolik gjerman është megjithatë i ndërgjegjshëm se nevojat në zonë janë shumë më të mëdha se mundësitë.

”Po hedhim një pikë ujë në gurin e nxehtë,” thotë Pader Andrea, duke perifrazuar një fjalë të urtë gjermane.

Padër Andreas përpiqet të zëvendësojë me gjithçka mundet rolin e munguar të institucioneve shtetërore në këtë zonë. Me nismën e tij të drejtpërdrejtë janë zgjidhur probleme të theksuara të infrastrukturës dhe të varfërisë ekstreme në këtë zonë.

Bashkia e Fushë-Arrëzit bashkë me fshatrat përreth saj është një nga zonat më të varfra të Shqipërisë, për shkak të terrenit të thyer malor, rrugëve të këqija dhe mungesës së punës. Infrastruktura rrugore në këtë zonë lë shumë për të dëshiruar, pasi pjesa më e madhe e saj është e amortizuar jo vetëm në akset rurale, por edhe në ato nacionale.

Ndërhyrja e Pader Andreas ka zbutur një pjesë të këtyre problemeve, përmes ndërtimit të një ure mbi lumin Fan në fshatin Kalvinaj apo hapjes për herë të parë të një rruge që lidh këtë fshat me rrugën automobilistike.

Megjithatë, projekti më i rëndësishëm i Pader Andreas është ai i ndërtimit të shtëpive për njerëzit e moshuar, familjet në nevojë apo ato që kanë pjestarë të sëmurë mes tyre.

Familje-ne-rajonin-e-Fushe-Arrezit-me-shtepi-te-shkaterruar-qe-Pader-Andrea-i-ka-ndertuar-shtepine Marash-Koliqi-falenderon-Pader-Andreas-per-shtepine-e-re Shtepia-e-re-e-bashkeshorteve-Fran-e-Pashke-Lleshi-nga-fshati-Bardhet-i-Fushe-Arrezit

Burimi: Reporter.al/Bashkim Shala