Prishtina, qyteti më i lirë në Evropë/ Ja si renditet Tirana dhe qytetet kryesore evropiane

110

Tirana renditet ndër vendet me kostot më të lira të jetesës në Evropë. Nga 181 qytete të Evropës që janë listuar nga Numbeo, portali më i madh që grumbullon të dhëna mbi kostot dhe cilësinë e jetesës, Tirana renditet në vendin e 155-të.

Megjithatë kryeqyteti i Shqipërisë nuk është më i liri në rajon. Prishtina “ka rrëmbyer” vendin e parë si qyteti më i lirë i Evropës.

Ndërkohë që ndër vendet e rajonit pas Prishtinës renditet Shkupi, në vendin e 168-të, ndërsa Tirana është e treta.

Me një diferencë të ngushtë nga njëri-tjetri renditen Sarajeva (148) dhe Beogradi (147), ndërsa Podgorica është kryeqyteti më i shtrenjtë ndër gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, sipas Numbeos, duke u renditur në vendin e 143-të.

Për të përcaktuar indeksin e kostove të jetesës, Numbeo bazohet në 5 indekse të tjera, siç janë: indeksi i qirave, indeksi i kostove të jetesës plus qirasë, indeksi i shportës bazë, indeksi i restoranteve, indeksi i fuqisë blerëse të vendasve.

Për sa i përket indeksit të qirave, Tirana është më e shtrenjtë edhe se Sarajeva, e cila në renditjen e përgjithshme është më e kushtueshme se kryeqyteti i Shqipërisë.

Zvicra është shteti më i shtrenjtë në gjithë Evropën. Gjashtë qytete evropiane mbizotërojnë listën e Numbeos për sa i përket indeksit të kostove të jetesës 2019. Më pas renditen vendet e Evropës Veriore, si Norvegjia dhe Islanda. Kryeqyteti i Francës renditet në vendin e 14-të, ndërsa Londra në vendin e 16-të.