Procedurat/ Studentët që përjashtohen nga tarifa dhe ata që përfitojnë bursë 1 mijë dollarë

247

Hapen procedurat për studentët që përjashtohen nga tarifat e shkollimit në Universitetet e vendit. Ndryshe nga vitet e tjera, këtë vit akademik do të përjashtohen nga tarifa e shkollimit dhe studentët që kanë zgjedhur të studiojnë mësuesi, duke plotësuar kriterin e notës mesatare 9 (nëntë) deri në 10 (dhjetë), e përllogaritur si mesatare e notave të të gjitha viteve të arsimit të mesëm të lartë, përfshirë edhe rezultatet e provimeve të Maturës Shtetërore.

Vendosja e mesatares mbi 7 për hyrjen në mësuesi, e ka bërë këtë vit akademik momentin e një kthese të madhe në këtë profesion. Shteti ofron 1 mijë dollarë bursë për studentët ekselentë që kanë zgjedhur mësuesinë.

Procedura e pranimit është e njëjta me vitet e kaluara, ndërsa përgatitja e dokumentacionit përkatës do të bëhet gjatë muajit dhjetor, pasi në muajin janar, para fillimit të sezonit të provimeve bëhet pagesa e tarifës së shkollës.

Nga tarifa e studimit përjashtohen studentët me aftësi të kufizuara, studentët, familjet e të cilëve trajtohen me ndihmë ekonomike të plotë ose të pjeshme, studentët fëmijë të policëve të rënë në detyre, fëmijët e ish-të përndjekurve politikë, dhe studentët e identifikuar si viktima të trafikimit të qenieve njerëzore. Tarifat e studimit në Universitet shtetorore variojnë nga 25 mijë deri në 50 mijë lekë të reja.