Profesionet e së ardhmes/ Prezantohet programi “Shkollat e Shekullit 21”, ja si të përfitoni

81

Programi Shkollat e Shekullit 21, nisma më e madhe arsimore e British Council në Ballkanin Perëndimor, u lançua sot në Shqipëri dhe pesë vende të tjera të Ballkanit.

Shkollat e Shekullit 21 është një program ambicioz trevjeçar, i financuar nga qeveria britanike, i cili do t’i pajisë mbi një milion nxënës të moshave 10-15 vjeç në vendet e Ballkanit Perëndimor, me aftësi të mendimit kritik, zgjidhjes së problemeve dhe kodimit. Ai synon të rrisë brezin e ardhshëm të novatorëve dhe sipërmarrësve, si dhe të ndërtojë mundësi punësimi.

Kjo shkollë ofron mentorim dhe burime të vlefshme për të ngritur kapacitetet e drejtorëve të shkollave dhe politikbërësve.

Të gjitha shkollat e arsimit bazë në Shqipëri, si dhe në Kosovë, Bosnjë dhe Hercegovinë, Mal të Zi, Maqedoni e Veriut dhe Serbi do të pajisen me pajisje micro:bit (mikrokompjutera portabël), të cilat do t’u ndihmojnë fëmijëve të mësojnë aftësi të reja dixhitale dhe koduese në një mënyrë zbavitëse dhe ndërvepruese.

Ndërsa shoqëria shqiptare përballet me përfitimet dhe sfidat e nxitura nga teknologjia dhe novacioni, ky program trevjeçar synon t’i përgatisë brezat e rinj me mendësinë dhe aftësitë për profesionet e së ardhmes.

Në Shqipëri, rreth 1200 shkolla, më shumë se 4000 mësues dhe rreth 120.000 nxënës, mes moshës 10-15 vjeç, janë përfshirë në program.

Ministrja e Arsimit të Shqipërisë dhe i Ngarkuari me Punë i Ambasadës britanike panë projektet nga 15 shkollat që morën pjesë në konkursin “Shkollat e Shekullit 21”. Dy fitues do të përfaqësojnë Shqipërinë në një konkurs rajonal në Beograd në muajin prill, si pjesë e Samitit Dixhital të Vendeve të Ballkanit.

“Shkollat e Shekullit 21” zhvillohet paralelisht dhe në përputhje me kurrikulën tradicionale për të mbështetur mendimin kritik për brezat e rinj, si domosdoshmëri për t’u përballur me realitetet e së nesërmes.