PROFIL/ Njihuni me Klean, 16-vjeçarja shqiptare kampione ndërkombëtare në shah

66

Jo vetëm në filma si ai “dy herë mat”, por talentet e vajzave shqiptare në shah po krenojnë Shqipërinë ndërkombëtarisht. Kleana Shuqja ka mësuar të luajë shah që në moshën 4-vjeçare me ndihmën e babait të saj, e më pas prej 12 vitesh është stërvitur me profesionalizmin e profesorit Shkëlqim Çelës.

“Në fillim shkoja se më dukej qejf, por pastaj u përkushtova se më pëlqenin rezultatet…”, tha shahistja Kleana Shuqja.

“Kleana ka marr pjesë në 100 gara ndërkombëtare, 70% të tyre e ka mbuluar nga shpenzimet e familjes”, tha Shkëlqim Çela, profesor shahu. Për 16-vjeçaren, 2022 është viti më i suksesshëm me 3 fitore të njëpasnjëshme, duke bërë të mundur që kupat të mos i përkasin vetëm Kleanës por edhe që emri i Shqipërisë të lartësohet në arenën ndërkombëtare.

“Çmimi i parë në qershor si kampione e femrave të Shqipërisë, më pas në korrik kampione e Europës në shahun e shpejtë në Greqi dhe së fundmi në olimpiadën botërore të shahut në INDI”, tha Kleana Shuqja, shahiste.

“Rezultatet ishin të pritshme sepse niveli i Kleanës ishte shumë i mirë. Më ka bërë krenar”, tha Shkëlqim Çela, profesor shahu.

Por ëndrrat e shahistes së re janë edhe më të mëdha, teksa me durimin, përqëndrimin e ambicien karakteristikat e një lojtareje të fortë, duket se nuk do të jenë edhe aq të largëta.

“Synimi im është të marr titullin mjeshtre e madhe në shah dhe të jem një personalitet në këtë fushë”, u shpreh Kleana Shuqja.

Ndonëse është me periudhë pushimesh, ajo i kushton cdo ditë 4-5 orë shahut dhe një garë e fortë.

Kultura për shahun në Shqipëri, sipas profesorit Çela, ka ndryshuar në dhjetëvjeçarin e fundit, ku moshat e vogla po afrohen drejt këtij sporti ndaj ai mendon se është momenti që vec përkrahjes nga familjarët edhe shteti ti kushtojë më shumë vemendje.

“Nëse në kohën time mosha e zhvillimit të shahut ka qenë 10-12 vjeç, sot është ulur te 4-5-6 vjeçarët”, u shpreh profesori shahut./ Top Channel