Profil/ Njihuni me shqiptarin Filip Haxheri, një nga ekspertët më të mirë të orizit në botë

134

Shumë pak shqiptarë kanë dëgjuar për emrin e tij, edhe pse është një nga 3-4 ekspertët më të mëdhenj në botë për kultivimin e orizit.

Bëhet fjalë për Filip Haxharin, gjenetisti shqiptar i cili aktualisht drejton Institutin Kërkimor më prestigjioz për orizin në Vercelli të Italisë, ku jeton dhe jep kontributin për gati 30 vjet.

Altin Prenga, pronari i agroturizmit “Mrizi i Zanave” e ka pasur të ftuar në fermën e tij profesor Haxharin ku dhe vetë Altini ka krijuar një orizore, duke marrë kështu dhe këshilla nga një nga ekspertët më të mirë në botë të orizit.

“Dr. Filipi më tha se është kultivuar në Shqipëri që nga vitet 1500, krejt çështja qëndron si duam ta shohim vendin tonë. Si një vend pikniku , ku pasi ushqehemi hedhim mbeturinat apo si AtDhe!”,-shkruan Altini i Mrizit në rrjetet sociale.

Kush është profesor Filip Haxhari

Në Itali gjenetisti shqiptar nuk është i huaj për botën e orizit, por për 30 vjet punon për krijimin e varieteteve të reja të farërave, duke përfshirë orizin e parë të zi italian, Venere.

“Përsosmëria e orizit italian qëndron në diversitetin e tij dhe ka një identitet të veçantë dhe unik në të gjithë botën. Qëllimi është që të plotësohen më së miri nevojat e konsumatorëve ose atyre të destinacionit dhe për këtë arsye përmirësimi dhe specializimi i varieteteve ka qenë gjithnjë e më intensiv. Ndryshe nga drithërat e tjerë, orizi duhet të konsiderohet unik dhe i ndryshëm sepse, duke u konsumuar si një kokërr e tërë, varieteti luan një rol vendimtar”, është shprehur pak muaj më parë për median italiane Filip Haxhari, duke shpjeguar karakteristikat e orizit italian dhe strukturën e tij fizike.