Programi i kodimit, deri tani 3505 aplikime nga të rinjtë

4

Në Programin e Kodimit për të rinjtë, i hapur në janar të këtij viti, deri tani kanë aplikuar 3505 të rinj.

Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive bëri të ditur se Programi i Kodimit ndihmon të rinjtë synojnë të orientojnë karrierën e tyre në profile të sigurta për të ardhmen në tregun e punës.

Programi i Kodimit, i njohur ndryshe edhe si Programi i Formimit Profesional, po zbatohet për herë të parë dhe i shërben vizionit afatgjatë që Shqipëria të arrijë potencialin e plotë të digjitalizimit dhe të përgatiten të rinj të aftë, të grupmoshës 16-35 vjeç, që edhe pa përvojë në shkenca kompjuterike, të kalojnë në një karrierë në industrinë teknologjike, me një kosto relativisht të ulët.

Subvencionimi nga ana e qeverisë shkon deri në 50 % të kostos, ndërsa për disa kategori më vulnerabël shkon deri në 100 %.

Programi i Kodimit, përveç subvencionimit, do të ofrojë dhe ndërlidhje me tregun e punës, për të thjeshtëzuar bashkëveprimin mes profilizimit të të rinjve dhe tregut të punës, si dhe për të mundësuar oferta punësimi për të rinjtë me paga të krahasueshme me tregun ndërkombëtar, menjëherë pas përfundimit të kursit.

/ata.gov.al