Projekti/ 180 fëmijë dhe të rinj me aftësi të kufizuara në Prrenjas do marrin shërbim në shtëpi, shkollë dhe qendër komunitare

81

Në bashkinë Përrenjas rreth 180 fëmijë dhe të rinj me aftësi të kufizuara do të kenë mundësi të marrin shërbime të integruara për nevojat ata që kanë.

Përmes projektit 28 mujor “Qendër komunitare për shërbime ndaj aftësisë së kufizuar”, që financohet nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga World Vision Albania në bashkëpunim me bashkinë Përrenjas, fëmijëve dhe të rinjve me aftësi të kufizuara, në këtë bashki, do t’u ofrohen shërbime të integruara nga dy ekipe specialistësh dhe profesionistët në shkolla, ndërsa prindërit e tyre do mbështeten me aktivitete praktike dhe këshillim.

Projekti është menduar si një ndërhyrje disaplanëshe, ku fillimisht do të ngrihet një Qendër Komunitare, ekipi i së cilës së bashku me ekipin lëvizës të “Tungjatjeta Jetë” do të ofrojë shërbime të rregullta për fëmijët dhe të rinjtë me aftësi të kufizuara në zona rurale dhe urbane; në shtëpitë e tyre, në shkollat ku mësojnë, si dhe në qendrën komunitare.

Përveç ofrimit të drejtpërdrejtë të shërbimit, ata do të mbështeten edhe me materiale ndihmëse e mjete teknologjike si aparat dëgjimi, syze, lojëra zhvillimore dhe pajisje të tjera, në bazë të nevojave që do identifikohen.