PROJEKTI/ Drejt restaurimit dy lagjet muzeale në Pogradec

55

Historia, kultura, bukuritë natyrore, krahas investimeve e kanë kthyer Pogradecin në një prej qyteteve më të bukura turistike në Shqipëri.

Përveç liqenit, Pogradeci në periferinë e tij, në fshatrat që e rrethojnë, ka edhe shumë bukuri të tjera natyrore, monumente të rëndësishme të kulturore e historike që tërheqin gjithmonë vizitorët.

Bashkia Pogradec vitet e fundit ka zgjeruar projektet e investimeve në vepra të ndryshme publike ku vend të rëndësishëm zënë edhe restaurimet e lagjeve apo objekteve me vlera historike kulturore.

Në kuadër të projektit “Rehabilitimi dhe restaurimi i lagjeve muzeale “Topleci” dhe rruga “Naim Frashëri”, bashkia Pogradec ka aplikuar së fundi edhe skanimin 3-dimensional me Laser Scanner, të kësaj lagje, për të siguruar projektimin me cilësi të lartë dhe punime me metoda inovatore”.

Rruga “Naim Frashëri” dhe “Topleci” janë nga lagjet më të vjetra të qytetit të Pogradecit, që bartin histori dhe vlera të veçanta si vendlindjet e Mitrush Kutelit, shkrimtar, publicist, përkthyes dhe ekonomist dhe të poetit të njohur Lasgush Poradeci.