Projekti i ri për rikualifikimin urban të zonës turistike të Golemit

90

 

Zona bregdetare nga Plepat në Golem e deri në Qerret është një zonë tepër tërheqëse në drejtim të turizmit dhe shumë e frekuentuar nga vizitorë vendas dhe të huaj sidomos gjatë periudhës së verës.

Përgjatë dy dekadave të fundit kjo zonë është urbanizuar dhe vazhdon këtë proces në mënyrë intensive. Gjatë fazës së urbanizimit vëmendja kryesore ka qenë e përqëndruar në ndërtimin e objekteve rezidenciale, duke mos u kushtuar rëndësinë e duhur rrjeteve infrastrukturore inxhinierike dhe sidomos drenazhimit. Në vijim kjo ka sjellë probleme në kullimin e ujërave sipërfaqësore në zonë. Megjithatë potenciali i zhvillimit të turizmit i kësaj zone bregdetare mbetet shumë i lartë.

Përmes kësaj ndërhyrjeje, në proces zbatimi FSHZH synon përmirësimin e aksesit drejt potencialeve turistike të zonës, me qëllim; zhvillimin e turizmit, rritjen e cilësisë së jetës për komunitetin dhe pushuesit, rritjen e mundësive për zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm të zonës turistike, përmirësimin dhe sigurinë e lëvizjes së mjeteve dhe njerëzve brenda zonës turistike, si dhe përmirësimin dhe lehtësimin e qarkullimit të mjeteve të transportit nga zona turistike në drejtim të Kavajës, të Durrësit dhe të Tiranës.

Projekti përfshin zonën e cila kufizohet në Veri: me kufirin ndarës të Njësisë Administrative Rrashbull, Bashkia Durrës, pranë Shkëmbit të Kavajës.

Në Lindje: me superstradën Durrës-Rrogozhinë;

Në Perëndim: me vijën bregdetare;

Në Jug: me Përroin e Lishatit, Qerret, Nj. Administrimi Golem, bashkia Kavajë.

Pjesë e këtij projekti konsiderohet edhe segmenti i rrugës dytësore Rrethrotullimi Plepa- Rrethrotullimi Mali i Robit i emërtuar më poshtë si segmenti 0-1-2, si dhe segmenti i rrugës dytësore Rrethrotullimi Plepa–Nënkalimi Golem i emërtuar më poshtë si segmenti 0-4-3.

Industria e turizmit bazuar në potencialet e mëdha që vendi ynë ofron nga veriu në jug është në rritje të vazhdueshme duke sjellë dhe domosdoshmërinë në përmirësimin e infrastrukturës nëntokësore dhe sistemimit të hapësirave publike urbane, për të menaxhuar fluksin sidomos gjatë sezoneve.